Lidhje

Taksat dhe deficiti buxhetor i ekonomisë amerikane


Taksat dhe deficiti buxhetor i ekonomisë amerikane
Taksat dhe deficiti buxhetor i ekonomisë amerikane

Shpresat për një veprim të guximshëm nga Kongresi Amerikan për të ngadalësuar rritjen e borxhit kombëtar që ka arritur në 15 trilionë dollarë, duket se morën fund, pasi komisioni i posaçëm dështoi të arrinte një marrëveshje për pakësimin e deficitit me 1,2 trilionë. Kongresi nuk u tregua i aftë për të trajtuar me guxim problemet fiskale të Shteteve të Bashkuara, dhe tani në bazë të ligjeve në fuqi, në se ato nuk ndryshohen, deficiti do të ulet 7 trilionë dollarë në 10 vjetët e ardhshëm.

Për ata që mezi prisnin të arrihej një pakësim dramatik i deficitit federal, do të kishte qenë jashtëzakonisht e lehtë që Kongresi ta kishte bërë një gjë të tillë. Pa bërë absolutisht asgjë: në se Kongresi do të shkonte për pushime për dy vjetët e ardhshëm, të ardhurat federale do të rriteshin automatikisht dhe shpenzimet do të shkurtoheshin. Një sërë klauzolave të përkohshme për uljen e taksave do t’u skadonte afati, taksa të reja do të shtoheshin dhe një sërë shkurtimesh buxhetore që prekin programe të brendshme dhe të mbrojejs do të hynin në fuqi.

Kostoja e interesave të huave që merr qeveria po ashtu do të binte. Të gjitha këto masa janë tashmë të parashikuara në ligj. Në se këto ligje nuk ndryshohen, Zyra Buxhetore e Kongresit vlerëson se deficiti vjetor do të ulej nga 1,3 trilionë dollarë që është këtë vit, në 500 miliardë gjatë dekadës së ardhshme -një përmirësim prej 60 për qindësh. Disa ligjvënës në Kongres i kanë parasysh këto shifra. Ligjvenësi demokrat i shteti të Oregonit, Peter DeFazio, thekson njërin nga këta komponentë: shkurtimin e taksave të miratuara kur president ishte Xhorxh Bush. Ligji i shkurtimeve skadon vitin e ardhshëm.

“Në se Kongresi vazhdon të mos bëjë asgjë, atëhere të gjitha shkurtimet e taksave, të miratuara gjatë administratës së presidentit Bush do të eliminohen, kjo do të shtojë të ardhurat buxhetore me 4 trilionë dollarë. Kjo do të zgjidhte 40 për qind të deficitit në 10 vjetët e ardhshëm. Në se ligjvënësit shqetësohen me të vërtetë për pakësimin e borxhit, opsioni “mos bë asgjë” është opsioni më i mirë.”

Vëzhgues të pavarur të buxhetit thonë se matematika është e saktë: të mos zbatosh vendimet e mëparshme për shkurtimin e taksave, do të shtonte të ardhurat buxhetore. Jason Pekej i Komisionit jo-partiak për një Buxhet të Përgjegjshëm Federal thotë:

“Në se Kongresi do të pushonte për disa vjet, borxhi nuk do të ishte aq keq. Por nuk është realiste që kjo të ndodhte.”

Republikanët thonë se vendosja e taksave më të larta do të ishte një goditje e madhe për ekonominë amerikane në vështirësi, duke shkaktuar ngadalësimin e saj më të madh dhe kjo do të pakësonte të ardhurat buxhetore. Ja si shprehet senatori Jon Kyl i Arizonës:

“Sidomos në kushtet e rënies ekonomike, si jemi tani, rritja e taksave nuk është ide e mirë”.

Edhe presidenti Obama ka thënë se taksat duhet të rriten vetëm për amerikanët më të pasur dhe vetëm pas rimëkëmbjes së plotë ekonomike.

XS
SM
MD
LG