Lidhje

SHBA fillojnë nesër bisedime me talebanët


Pres. Obama tha në takimin e nivelit të lartë të G8-s se këto bisedime janë “hapi i parë fillestar”

Shtetet e Bashkuara do të fillojnë bisedime zyrtare me talebanët këtë javë, në përpjekje për të krijuar kushtet për t’i dhënë fund luftës mëse 10 vjeçare në Afganistan.

Zyrtarët amerikanë thonë se bisedimet do të fillojnë të enjten në Doha, kryeqyteti i Katarit. Zyrtarë të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit dhe të Shtëpisë së Bardhë pritet të takohen me një delegacion taleban për ato që autoritetet i përshkruajnë si bisedime paraprake.

Hollësitë e bisedimeve u publikuan ndërkohë që zyrtarë amerikanë të mbrojtjes konfirmuan se katër trupa amerikane u vranë dje në bazën ajrore të Bagramit, në veri të Kabulit. Zyrtarët thanë se viktimat u shkaktuan nga zjarri i mortajave apo raketave të kryengritësve, por nuk dhanë hollësi të tjera.

Presidenti Barak Obama tha dje në takimin e nivelit të lartë të G8-s në Irlandën e Veriut se bisedimet e Katarit janë “hapi i parë fillestar”, por paralajmëroi se pret “vështirësi gjatë procesit” që duhen kapërcyer.

Qeveria e Presidentit të Afganistanit, Hamid Karzai, nuk pritet të marrë pjesë në raundin paraprak të bisedimeve në Doha.
XS
SM
MD
LG