Lidhje

Talebani pakistanez merr përgjegjësinë për sulmin ndaj konsullatës amerikane


Talebani pakistanez merr përgjegjësinë për sulmin ndaj konsullatës amerikane
Talebani pakistanez merr përgjegjësinë për sulmin ndaj konsullatës amerikane

Talebani pakistanez ka marrë përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës me bombë që kishte në shenjestër një kolonë të konsullatës amerikane në qytetin veriperëndimor të Peshavarit.

Autoritetet pakistaneze thonë se militantët e hodhën në erë me telekomandë automjetin e mbushur me 50 kilogram eksplozivë ndërkohë që kalonte kolona me dy makina. Dëshmitarët thanë se forca e shpërthimit bëri që një nga makinat e blinduara të konsullatës të përplasej pas një shtylle të energjisë elektrike.

Zyrtarët thanë se shpërthimi vrau një kalimtar pakistanez dhe plagosi 11 të tjerë. Zëdhënësi i ambasadës amerikane Alberto Rodriguez tha se dy punonjës të qeverisë amerikane morën plagë të lehta.

Një zëdhënës i talebanit tha se bomba ishte për t’u hakmarrë ndaj vrasjes së kreut të al-Kaidës Osama bin Laden në Pakistan nga forcat speciale amerikane me 2 maj. Ai tha se sulme të tjera do të zhvilloheshin në të ardhmen.

Ndërkohë, policia në Karaçi tha se ka arrestuar tre veta që dyshohen se janë militantë të Talebanit pakistanez, përfshirë njerëzin që mendohet se do të zhvillonte sulm vetëvrasës, dhe që planifikonin sulme në qytetin jugor.

XS
SM
MD
LG