Lidhje

Talibanët emërojnë udhëheqësin e ri


Talibanët afganë thanë se Maulvi Haibatullah Akhundzada, është emëruar drejtues u ri i grupit pas vdekjes së Mullah Akhtar Mansoorit.

Në një deklaratë në gjuhën pashto, talibanët konfirmuan të mërkurën edhe zyrtarisht se Mansoori është vrarë në një sulm amerikan me fluturake pa pilot.

"Maulvi Haibatullah Akhundzada është emëruar udhëheqës i ri i Emirateve Islamike, pas pajtimit të njëzëshëm në Shura, (keshilli suprem), dhe të gjithë anëtarët e Shuras, u zotuan për besnikëri ndaj tij" thuhet në deklaratën e talibanëve.

Presidenti amerikan, Barack Obama, konfirmoi të hënën se Mansoori është eliminuar meqë bllokonte përpjekjet për paqe e ripajtim në Afganistan.

Udhëheqësi i ri taliban ishte zëvendës i Mansoorit së bashku me Sirajuddin Haqqanin, udhëheqës i rrjetit famëkeq, Haqqani.

Sirajuddin Haqqani mbajti pozitën e tij, ndërsa i biri i themeluesit të grupit, Mullah Yaqoob, u emërua si zëvendës i dytë i shefit të ri të talibanëve.

Deklarimi i talibanëve, përkoi me një shpërthim vetëvrasës në Kabul që la pas vetes të paktën dhjetë të vrarë.

Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, mori përsipër përgjegjësinë për sulmin mbi një makinë me zyrtarë të drejtësisë. Në një deklaratë dërguar medieve, zëdhënësi taliban tha se sulmi është kryer si reagim ndaj ekzekutimit të gjashtë talibanëve të dënuar me vdekje nga drejtësia afgane.

XS
SM
MD
LG