Lidhje

Në Tampa, me kuvendin republikan

  • Ilir Ikonomi

Kandidati republikan për president, Mitt Romney siguroi dje emërimin e partisë.

Në Tampa të shtetit Florida, ku po zhvillohet kuvendi kombëtar i Partisë Republikane, kandidati republikan për president, Mitt Romney siguroi dje emërimin e partisë, ndërsa bashkëshortja e tij Anne, dhe guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie argumentuan se përse zoti Romney duhet të jetë presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara.

Gjatë një votimi dje mbrëmë delegatët e partisë republikane nga i gjithë vendi dhanë më shumë se 1,144 votat e nevojshme për emërimin e zotit Romney si kandidat i kësaj partie për president.

Vonë në mbrëmje, zonja Ann Romney mbajti një fjalim në Konvendin Kombëtar Republikan për të paraqitur arritjet e bashkëshortit të saj si biznesmen, si ish-guvernator i shtetit Massachusetts dhe si udhëheqës në kishën e besimit Mormo:.

"Ky është njeriu për të cilin Amerika ka nevojë. Ky është njeriu që zgjohet çdo ditë me vendosmërinë për të zgjidhur problemet që të tjerët thonë se nuk mund të zgjidhen, për të riparuar atë që të tjerët thonë se nuk mund të riparohet. Ky është njeriu i cili do të punojë më shumë se kushdo në mënyrë që të na e bëjë neve të tjerëve më pak të vështirë. Unë nuk mund t'ju them se çfarë do të ndodhë gjatë katër viteve të ardhshme. Unë vetëm mund të deklaroj këtu sonte solemnisht, si grua, si një nënë dhe si gjyshe, si një amerikane, se ky njeri nuk do të dështojë".

Menjëherë pas fjalimit, zoti Romney hyri në sallë dhe u prit me entusiazëm nga të pranishmit.

Një tjetër fjalim i rëndësishëm mbrëmë ishte ai i guvernatorit të Nju Xhersit, Chris Christie, i njohur për komentet e tij të drejtpërdrejta.

"Sonte, ne shprehim mbështetjen për Mitt Romneyn si President i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara. Së bashku, ne shprehim edhe një herë mbështetjen për madhështinë e Amerikës."

Ai tha se familjeve që lodhen duke punuar u duhet thënë e vërteta në lidhje me borxhin e madh të Amerikës, se matematika e shpenzimeve federale është e gabuar.

Dita e djeshme ishte dita e parë e plotë e Kuvendit. Aktivitetet e ditës së parë, që duhet të ishte e hëna u anuluan për shkak të stuhisë tropikale Isaak që më pas u shndërrua në uragan.

Presidenti Barak Obama po bën fushatë në disa qytete ku ka kolegje, në shtetet Iowa, Kolorado dhe Virxhinia. Demokratët do ta mbajnë kuvendin e tyre javën e ardhshme në Charlotte, të Karolinës së Veriut.
XS
SM
MD
LG