Lidhje

Stuhia detyron shtyrjen e kuvendit republikan


Republikanët do të emërojnë zyrtarisht këtë javë dyshen Romney-Ryan si kandidatët e tyre presidencialë

Erërat dhe shirat e fuqishëm po krijojnë probleme për kuvendin kombëtar të Partisë Republikane që mbahet këtë javë në Tampa të shtetit Florida.

Republikanët do të emërojnë zyrtarisht zotin Mitt Romney dhe zotin Paul Ryan si kandidatët e tyre për president dhe nënpresident që do të përballen me presidentin demokrat Barack Obama dhe nënpresidentin Joe Biden në zgjedhjet e nëntorit. Por stuhia tropikale Isaac po e detyron partinë republikane ta shtyjë fillimin e kuvendit për të martën.

``Ne do t’i shkrijmë disa nga aktivitetet që kishim planifikuar për sot me ato të ditëve të tjera. Për shembull, theksi për ditën e hënë duhet të ishte “Ne mund t’i bëjmë gjërat më mirë”, që është një analizë për politikat e dështuara të Presidentit Obama gjatë 3 vjetëve e gjysmë. Pra, në vend që t’i kushtojmë një ditë të plotë këtyre politikave të dështuara, ne do t’i shkrijmë ato në ditët pasardhëse të kuvendit", thotë Kyle Downey, zëdhënës i kuvendit kombëtar republikan.



Stuhia ka patur efekt edhe mbi demonstratat kundër zotit Romney të planifikuar në qendër të qytetit Tampa gjatë kuvendit republikan. Një protestues tha se pjesmarrja ka qenë më e vogës nga sa pritej.

"Njerëzit po presin të shikojnë se si do të zhvillohen kushtet e motit këto ditë. Ne shpresojmë se shumica e njerëzve do të arrijnë të vijnë këtu sot. Por po presim të shikojmë si do të jetë koha sepse ata nuk kanë pse vijnë këtu nëse neve do të na duhet t’i kthejmë mbrapsht, nëqoftëse parashikohet që qyteti të goditet nga uragani ose nga erërat e fuqishme."

Zoti Romney, i cili ndodhet në shtëpinë e tij verore në shtetin New Hampshire, nuk i ka ndryshuar planet për ta mbajtur fjalimin e tij të enjten ku do të pranojë emërimin e Partisë Republikane si kandidat për president.

Zoti Romney tha dje për televizionin Fox News se ai shpreson që fjalimi i tij të përçojë besimin që ai ka se SHBA janë një vend i veçantë dhe i jashtëzakonshëm dhe se ky vend ende i ka mjetet e duhura për ta udhëhequr botën drejt begatisë dhe paqes.
XS
SM
MD
LG