Lidhje

Tirana miraton marrëveshjen për TAP-in


Teksti për gazsjellësin pritet të firmoset nga Shqipëria, Italia dhe Greqia më 13 shkurt.

Në Tiranë qeveria shqiptare miratoi sot tekstin e marrëveshjes që do të nënshkruhet me Italinë dhe Greqinë, pjesë e procedurave të nevojshme për realizimin e projektit të gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline. Kryeministri Sali Berisha e cilësoi marrëveshjen si një moment tepër të rëndësishëm që përmbush kuadrin ligjor për kalimin e gazsjellësit në territoret e të tre vendeve.

Pas nënshkrimit në shtator të vitit të kaluar në Nju jork të marrëveshjes së bashkëpunimit ku Shqipëria, Italia dhe Greqia shprehnin vullnetin për të mbështetur ndërtimin e gazjellësit Tap, i cili parashikon të dërgojë në Europë gazin nga fushat e Azerbajxhanit, të tre vendet pritet të nënshkruajnë marrëveshjen ndërqeveritare 13 shkurtin e ardhshëm, me shumë gjasa në Athinë të Greqisë.

Nga ana e saj qeveria e Tiranës e miratoi sot në parim tekstin. Kryeministri Sali Berisha nuk hezitoi ta cilësonte marrëveshjen si historike jo vetëm në aspektin e zhvillimit ekonomik por edhe në atë të bashkëpunimit ndërkombëtar të Shqipërisë: “Aktualisht është projekti më fizibël, më i leverdishëm që ekziston nga të gjitha projektet e tjera. Leverdia e Shqipërisë për këtë projekt është e jashtëzakonshme, por edhe angazhimi i saj për të qenë partnerë në këtë projekt ka qenë i jashtëzakonshëm gjatë këtyre viteve. Marrëveshja finalizon një kuadër ligjor të domosdoshëm të bashkëpunimit dhe kalimit të gazsjellësit në territorin e vendeve tona”.

Në garë për shfrytëzimin e gazit të Azerbjaxhanit është edhe projekti tjetër alternativ Nabucco West, i cili kalon përmes Gjeorgjisë, Turqisë e më pas në Bullgari, Rumani e Hungari për të përfunduar në Austri. Sipas një raporti të paraqitur në komitetin e marrëdhënieve me jashtë të senatit amerikan, ky projekt vlerësohet të ketë një avantazh gjeostrategjik dhe mbështetje më të madhe politike.

Por përfaqësuesit e konsorciumit Tap, i përbërë nga tre firma të mëdha europiane në sektorin e energjisë, janë tejet optimist për mundësinë e përzgjedhjes së projektit të tyre. Edhe marrëveshja ndërqeveritare mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë konsiderohet si një tjetër hap i rënbdësishëm duke qenë se është një nga dokumentat kryesorë të domosdoshëm për finalizimin e gazjellësit.

Vendimi përfundimtar nga konsorciumi që administron vendburimin e Shah Deniz II në Azerbajxhan pritet të merret në mesin e këtij viti. Nëse Tap do të përzgjidhej, përfitimet e Shqipërisë do të ishin të shumëfishta. “Shqipëria merr një pozicion nevralgjik në fushën e energjisë në rajon, pasi vetë pozicioni i saj gjeografik është shumë i rëndësishëm. Ajo është jo vetëm një vendkalim i gazsjellësit drejt Italisë, por ekziston edhe një potencial tjetër i madh, që gazi, krahas trajektores së gjertanishme, të shkojë drejt Ballkanit të Veriut”, tha kryeministri Berisha.

Gjatësia e gazsjellësit në territorin shqiptar është 209 kilometra, ndërsa 69 kilometra të tjerë do të shtrihen nën det në Adriatik.
XS
SM
MD
LG