Lidhje

Skanerat e targave të makinave


Përkrahësit e privatësisë, tashmë të nxitur nga lajmet mbi programin e qeverisë amerikanë të përgjimit për qytetarët e thjeshtë, kanë gjetur një problem tjetër. Agjencitë e zbatimit të ligjit në SHBA po përdorin teknologji të reja për të skanuar targat e makinave dhe për të mbledhur informacion mbi të dhënat e lëvizjeve të miliona amerikanëve.

Hetuesi i policisë së qarkut të Arlingtonit, Mohammed Tabibi punon për njësinë që merret me rastet e vjedhjeve të makinave. Ai përdor skanerat e targave, të quajtur shkurt LPR, të montuar në makinën e tij, për të kërkuar automjete të vjedhura.

“Kemi përfituar nga këto. Ne kemi kapur disa njerëz të përfshirë në krime të rënda në sajë të LPR-ve. Dhe, me sa di unë, kanë ndihmuar edhe agjenci të tjera.”

Përdorimi i LPR-ve është në rritje në Shtetet e Bashkuara. Disa janë montuar në shtylla, disa të tjera në makina, por grupet në mbrojtje të privatësisë së qytetarëve janë të shqetësuar. Ata thonë se informacioni po ruhet në serverat e kompjuterave dhe ndahet me agjenci të tjera lokale, shtetërore ose federale. Jay Stanley është analist i Sindikatës Amerikane të Lirive Civile.

"Ata ruajnë informacion mbi kohën dhe vendodhjen e qytetarëve. Dhe shumë nga departamentet e policisë e mbajnë këtë informacion për një kohë të pacaktuar. Në shoqërinë tonë, qeveria nuk të ndjek dhe nuk të cënon privatësinë pa patur një arsye të veçantë, vetëm nëse dyshojnë se mund të jeni përfshirë në ndonjë krim".

Kapiteni i policisë së Arlingtonit Kevin Rearden është shef i njësisë për Departamentin e Sigurisë Kombëtare. Ai thotë se informacioni nga LPR-të ruhet për një periudhë gjashtë mujore. Por agjenci të tjera të zbatimit të ligjit, që kanë mundësinë për të përdorur serverin e tyre, mund ta ruajnë atë informacion për një kohë të pacaktuar.

“... Pasi ka kaluar një kohë e caktuar, nuk ka shumë mundësi që informacioni të jetë i dobishëm. Ndërkohë ne jemi duke krijuar këtë infrastrukturë gjigande për kontrolluar njerëzit.”

Por Sindikata Amerikane për Liritë Civile thotë se amerikanët kanë nevojë të dinë më shumë rreth teknologjisë së LPR-ve. Ajo ka ngritur padi në një gjykatë federale kundër Departamentit të Sigurisë Kombëtare për të mësuar se si po e përdorin zyrtarët informacionin e grumbulluar nëpërmjet LPR-ve.
XS
SM
MD
LG