Lidhje

Tatuazhet dhe prirja e amerikanëve ndaj tyre

  • Mana Rabiee

Tatuazhet dhe prirja e amerikanëve ndaj tyre

Tatuazhet dhe prirja e amerikanëve ndaj tyre

Tatuazhet tashmë pëlqehen gjerësisht nga të rinjtë në Shtetet e Bashkuara dhe një tatuazh nuk cilësohet më si një tregues rebelizmi. Njerëzit që kanë tatuazhe në Shtetet e Bashkuara janë të shumtë dhe tani po vihet re një prirje e kundërt – heqja e tatuazheve.

Davidi, i cili nuk dëshiron të përdorë emrin e tij të plotë, thotë se ky tatuazh e ka mbrojtur në luftë, kur ishte në Irak me Ushtrinë Amerikane.

Por sot, Davidi është baba i tre fëmijëve të vegjël. Ashtu si shumë njerëz të tjerë në Shtetet e Bashkuara ai ka ndryshuar mendim mbi tatuazhin e tij. Prandaj ai ka ardhur në këtë klinikë të Uashingtonit për heqjen e tatuazheve me lazer për ta hequr tatuazhin e tij, një herë e mirë.

Ken Saler është pronari i klinikës. Ai thotë se klientët e tij janë zakonisht gra në karrierë të cilat mendojnë se tatuazhi i vendosur gjatë shkollës së mesme apo universitetit po frenon përparimin e tyre në punë. Ai thotë:

“Disa prej tyre janë shumë të emocionuara dhe thonë: ‘Kjo është dita më e mirë e jetës sime. Ka 20 vjet që e shoh këtë gjë. Nuk e imagjinoni dot se sa shumë kam dashur ta heq tatuazhin,’ thonë ato”.

Sipas Qendrës së Kërkimeve Pew, më tepër se një e treta e amerikanëve, midis moshave 18 dhe 40 vjeç, kanë të paktën një tatuazh.

Ndërkohë që ata rriten, gjithmonë e më shumë prej tyre vijnë në klinika si kjo për të hequr tatuazhin që kanë në trup.

Klinikat dhe shkollat e trajnimit të specializuara në heqjen me lazer të tatuazheve thonë se puna e tyre është shtuar shumë dhe në disa raste është dyfishuar në një vit.

Jennifer Bezdicek është avokate në Uashington.

Ajo vjen tek klinika e zotit Ken për të hequr nga këmba një tatuazh të vogël me një zemër dhe një trëndafil:

“Unë e vura tatuazhin kur isha 18 vjeçe. Nuk ishte ide e mirë. Nuk ishte e përshtatshme kur takoja klientët apo kur isha në vende të rëndësishme. Pra, unë thjesht dua ta heq dhe të mos kem më arsye për t’u shqetësuar për të”.

Teknologjia e re e rrezeve lazer e ka bërë procesin më pak të dhimbshëm dhe më pak të kushtueshëm.

Lazeri shpërbën thërmijat e bojës së tatuazhit, derisa ato të bëhen aq të vogla saqë të mund të hiqen nga aktiviteti normal i trupit.
Nevojiten disa seanca që tatuazhi të mund të hiqet tërësisht.

Ndërkohë që gjithmonë e më shumë amerikanë si Davidi pendohen për tatuazhet e tyre, klinika si kjo do të jenë gati për t’i fshirë ato pamje të së shkuarës.

XS
SM
MD
LG