Lidhje

Tatutë dhe origjina e tyre nga ishulli i Samoas

  • Zëri Amerikës

Tatutë dhe origjina e tyre nga ishulli i Samoas

Tatutë dhe origjina e tyre nga ishulli i Samoas

Ishulli Samoa njihet si vendlindja e tatuve dhe ku mund të shohësh disa nga tatutë më të komplikuara dhe komplekse të botës. Ndërsa vizatimet dhe teknikat tradicionale janë rigjallëruar, tani tatutë preferohen më të vogla, më të thjeshta dhe pëlqehen më tepër nga të rinjtë. Por disa artistë në Samoa shqetësohen se tatuistët e rinj po imitojnë vizatimet tradicionale, duke e zhvlerësuar traditën e tyre shumëvjeçare.

Tatutë luajnë një rol të rëndësishëm në kulturën tradicionale të ishullit të Samoas. Madje edhe fjala Tatu e ka origjinën tek fjala “tatau” e gjuhës Samoe.

Tatuja tradicionale për meshkujt zakonisht fillon tek mesi dhe vazhdon deri tek gjuri dhe ajo është zakonisht një vizatim i ndërlikuar me bojë të zezë. Për realizimin e një tatuje të tillë duhen deri dy javë dhe procesi i vizatimit realizohet me seanca të shkurtëra, për shkak të dhimbjes që shkaktojnë veglat e thjeshta tradicionale.

Tatuja tradicionale për femrat, që njihte si “mulu”, mbulon kofshët me disa vizatime që i ngjajnë kryqit. Për realizimin e tyre duhen rreth 4 orë.

Puna tradicionale për realizimin e një tatuje kryhet nga mjeshtrit e tatuve, të cilët shpesh kanë shpenzuar dekada të tëra për perfeksionimin e këtij arti. Majkëll Hiki drejton një studio tatush moderne në Apia. Ai e merr frymëzimin nga vizatimet tardicionale të Samoas. Ai thotë se dihet nga të gjithë se tatutë e kanë origjinën në Samoa:

“Fjala Tatu vjen nga “tatau”, dhe të gjithë tatuistët nga e gjithë bota thonë se tatutë filluan të realizohen për herë të parë këtu në Samoa. Këtu është vendlindja e tatuve”."

Mjeshtri i tatuve, Petelo Suluape, vjen nga njëra prej dy familjeve më të njohura të Samoas për krijimin e tatuve tradicionale. Duke ecur në gjurmët e të atit, Suluape ka 30 vjet që merret me tatu dhe vazhdon të punojë në një kolibe të hapur, në breg të oqeanit, në Apia. Ai ka një djalë, Peter, të cilit i ka mësuar zanatin dhe ai shkon shpesh me kërkesë në Zelandën e Re dhe në Hawai për të vizatuar tatu për samoezët që jetojnë jashtë vendit. Suluape thotë se të kesh tatu është pjesë e të qenit samoez.

“Kjo pjesë e kulturës ekziston në vendin tonë që nga fillimi, pra të gjithë burrat sipas traditës, duhet të kenë tatu. Prandaj ne i quajmë tatutë “tatau”, që do të thotë “diçka që duhet bërë”.

Në kulturën samoeze, marrja e një tatuje, tradicionalisht lidhej me fillimin e burrërisë. Tatuisti Suluape thotë se misionarët e krishterë në shekullin e 19-të u përpoqën t’i detyronin komunitetet samoeze të hiqnin dorë nga tatutë, por ky zanat u mbajt gjallë nga familjet tradicionale të tatuve në fshatrat bregdetare.

Në kushtet kur në Samoa çdo banor ka të paktën një tatu, ky art vazhdon të mbetet tepër popullor. Megjithëse janë bërë disa ndryshime për arsye higjenike, edhe sot vazhdon të përdoret mjeti tradicional, i bërë nga dhëmbi i derrit të butë, ose të egër, i lidhur me një shkop. Asistentët që ndihmojnë gjatë procedurës, tërheqin lëkurën e personit që merr tatunë për të krijuar një sipërfaqe të sheshtë që të punojë tatuisti. Vizatimi bëhet mbi lëkurë me bojën e zezë dhe ai gërvishtet në mënyrë ritmike me veglat e mprehta, për të krijuar vizatimin. Kjo konsiderohet një eksperiencë e dhimbshme dhe mjeshtri Suluape thotë se mjetet e reja moderne për vizatimin e tatuve kanë bërë që shumë samoezë të zgjedhin metodën moderne në vend të asaj tradicionales.

Procesi tradicional i bërjes së tatuve është një proces shpirtëror dhe anëtarët e familjes së personit që merr tatu zakonisht mblidhen për ta parë të gjithë senancën e vizatimit. Por megjithëse tani ekziston mundësia për të marrë tatu me mjete moderne, më pak të dhimbshme, mjeshtri Suluape thotë se gjatë dekadave të fundit ka patur vazhdimisht interes për bërjen e tatuve sipas mënyrës tradicionale. Në kushtet kur shumë samoezë shkojnë jashtë vendit, në kërkim të një jete më mirë, Suluape mendon se ata e konsiderojnë marrjen e një tatuje si një lidhje të rëndësishme kulturore me vendin e tyre.

Në qendër të Apias, dyqanet e tatuve përdorin mjetet moderne për krijimin e tatuve të vogla, bazuar tek vizatimet tradicionale.

Vizatimet e Majkëll Hikit janë gërshetim i dizenjove tradicionale me teknikat moderne. Ai beson se sot njerëzit preferojnë të kenë tatu më të vogla, që bëhen shpejt dhe me më pak dhimbje dhe pranon se marrja e tatuve në Somoa po shndërrohet nga një rit tradicional, në një element të modës.

Megjithë ekzistencën e popullaritetit dhe alternativave moderne, tatuistët Suluape dhe Hiki thonë se kanë besimin se tatutë tradicionale do të vazhdojnë ta ruajnë vendin që kanë në kulturën e Somoas.

XS
SM
MD
LG