Lidhje

Tajfuni dhe ndryshimet klimatike


Ndërkohë që një stuhi tjetër tropikale është në drejtim të Ishujve Filipine vetëm disa ditë pasi Tajfuni Haiyan shkatërroi pjesë të vendit, komisioneri për ndryshimin e klimës për Filipinet ka bërë një thirrje të pasionuar për të arritur një marrëveshje globale për pakësimin e çlirimit të gazeve të efektit serë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell bisedoi me shkencëtarë dhe ligjvënës rreth çështjes nëse tragjedia në Filipine është prova më e fundit e ndryshimeve klimatike.

Shkencëtarët thonë se Tajfuni Haiyan është një nga stuhitë më të fuqishme që kanë ndodhur ndonjëherë në Tokë.

Disa ekspertë thonë se ndryshimi i klimës i shkaktuar nga njerëzit është përgjegjës për këtë.

Bob Ward është nga Instituti Kërkimor Grantham për Ndryshimin e Klimës në Londër.

“Sigurisht që ka prova rrethanore, sepse ne e dimë që fuqia e cikloneve tropikale, tajfuneve, ose uraganëve, varet nga temperaturat e sipërfaqes së detit. Po ashtu, ujërat e Paqësorit janë shumë të ngrohta për momentin, dhe temperatura e tyre është rritur për shkak të ndryshimit të klimës.”

Zoti Ward thotë se intensiteti i stuhive duket se po rritet.

“Modelet tona nuk janë shumë të qartë tani për tani por në të ardhmen mund të presim më pak stuhi në numër se sa tani. Por ato që do të ndodhin do të jenë shumë më të fuqishme nga ç’po shohim tani.”

Shkatërrimi i infrastrukturës e ka bërë të vështirë për autoritetet dhe agjencitë e ndihmave të shpërndajnë ujë dhe ushqim.
Zoti Benedikt Dempsey nga organizata “Save the Children” thotë se disa punonjës humanitarë ishin atje kur goditi stuhia.

“Një gjysëm dyzinë njerëzish në fakt ishin atje ku goditi stuhia, në mënyrë që të ishin të përgatitur për të ndihmuar popullsinë në Takloban dhe gjetkë në Filipine.”

Zoti Dempsey thotë se agjencive të ndihmave u duhet t’i përshtaten fatkeqësive natyrore më të shpeshta të këtij lloji.

“Mes viteve 2002 dhe 2011, mesatarisht mbi 260 milion njerëz në vit janë prekur nga fatkeqësi natyrore. Ne po e përjetojmë këtë realitet, dhe patjetër që duhet të përgatitemi për të ardhmen.”

Organizata “Global Warming Policy Foundation” - e cila është skeptike rreth debatit se njerëzit janë shkaktarët e ndryshimit të klimës –thotë se fokusi duhet të jetë tek përgatitja para katastrofave, sesa në pakësimin e çlirimit të gazeve të efektit serë. Benny Peiser është drejtori i organizatës.

“Kjo ishte stuhia tropikale e njëzetë që ka goditur ishujt Filipine këtë vit. Pra, kjo do të vazhdojë pavarësisht se çfarë vendosim ne mbi dioksidin e karbonit. Këto stuhi do të vazhdojnë.”

Gjatë bisedimeve rreth ndryshimit të klimës në takimin që po mbahet aktualisht në Poloni, përfaqësuesi filipinas bëri një thirrje të pasionuar për arritjen e një marrëveshjeje për të ulur çlirimin e gazit të efektit serë.
Shkencëtari Bob Ward thotë se delegatët duhet t’i kushtojnë vëmendje thirrjes së tij.

“Unë mendoj se ky tajfun do t’i detyrojë njerëzit të përqëndrohen më shumë në faktin se në qoftë se debatojmë dhe vonojmë në marrjen e një vendimi, do të shohim gjithnjë e më shumë nga këto lloj tragjedish, dhe do të paguajmë një çmim të lartë njerëzor.”

Por vëzhguesit e takimit të Varshavës thonë se një marrëveshje mbi pakësimin e çlirimit të gazeve të efektit serë duket se është ende larg.
XS
SM
MD
LG