Lidhje

Dita Botërore e Tuberkulozit

  • Lisa Schlein

Ndërsa vendet e botës shënojnë Ditën Botërore të Tuberkulozit, më 24 mars, Organzata Botërore e Shëndetësisë, OBSH, po nxjerr një strategji të re për t'i dhënë fund epidemisë botërore të tuberkulozit. OBSH po bën thirrje për mbështetje në shkallë botërore për ta zhdukur këtë epidemi në 20 vitet e ardhshme:

Dy strategji të mëparshme i kanë hapur rrugën kësaj të fundit, që është plani më ambicioz. OBSH ka bindjen se strategjia e tanishme, e quajtur "End TB", ka shanse të mira për të patur rezultat, për shkak të suksesit të straegjive "DOT TB" dhe "Stop TB", që u paraqitën në fillim të shekullit.

Vitet e fundit, në luftën kundër tuberkulozit është arritur përparim i jashtëzakonshëm. Mes viteve 2000 dhe 2013, rreth 37 milionë jetë njerëzish janë shpëtuar përmes diagnostikimit dhe trajtimit të tuberkulozit. Por OBSH thotë se nevojitet të bëhet shumë më tepër për të luftuar këtë sëmundje vdekjeprurëse.

Drejtori i Programit Global të Tuberkulozit në OBSH, Mario Raviglione, thotë se strategjia më e fundit, "End TB" përfaqëson një mundësi historike për zhdukjen e epidemisë, që ka ka qenë shkak i vdekjeve, sëmundjeve dhe vuajtjeve gjatë mijëra viteve:

“Le të kujtojmë që tuberkulozi preku 9 milionë njerëz në vitin 2013, shkaktoi vdekjen e 1,5 milionë njerëzve, përfshirë 360,000 njerëz të prekur nga virusi HIV; po ashtu, në të njëjtin vit, pati gjysëm milioni raste të tjera të personave të prekur me HIV, që kishin rezistencë ndaj ilaçave, natyrisht, duke shkaktuar alarm dhe shqetësim kudo në botë, ngaqë këto janë raste të vështira për t'u trajtuar dhe mundësia e vdekjeve është shumë e madhe."

Tuberkulozi është një sëmundje ngjitëse përmes rrugëve të frymëmarrjes. Është sëmundja e dytë më vdekjeprurëse nga një agjent i vetëm inefktimi, pas virusit HIV. Mbi 95 për qind e rasteve dhe vdekjeve nga tuberkulozi ndodhin në vendet në zhvillim.

Tuberkulozi është i kurueshëm dhe i parandalueshëm dhe OBSH po bazohet tek ky fakt për ti dhënë shtytje srategjisë së vet ambicioze, që kërkon pakësimin e vdekjeve nga tuberkulozit me 95 për qind dhe pakësimin me 90 për qind të rasteve të prekjes nga sëmundja deri në vitin 2035.

Një moment historik i rëndësishëm për t'u arrirë në 5 vitet e ardhshme është eliminimi i kostos katastrofike për pacientët me tuberkuloz dhe familjet e tyre. Tuberkulozi mund t'i çojë familjet në falimentin, për shkak të kostos së drejtpërdrejtë mjekësore dhe harxhimit të të ardhurave, që lidhen me periudhën 6-mujore të trajtimit.

OBSH thotë se kosto dhe humbja e të ardhurave mund të kompensohet përmes krijimit të skemave të ndryshme financiare, përfshirë mbulimin me sigurim shëndetësor universal.

Kjo strategji kërkon politika të guximshme, që qeveritë të mbështesin programet për tuberkulozin dhe të theksojnë nevojën për mjete të reja, për intensifikimin e kërkimeve shkencore.

Dr. Raviglione i tha Zërit të Amerikës se ka përparim në këtë drejtim, në kushtet kur po dalin mjete të reja diagnostikimi dhe ilaçe të reja:

“Na nevojiten mjete më të shpejta kërkimore dhe analiza që bazohen tek ndjeshmëria gjenetike. Këtu po i zhvillojmë kërkimet…diçka që mund të realizohet në mënyrë të thjeshtë në vendin më të largët, sa më shpejt që të jetë e mundur dhe nuk jemi larg të realizimit të kësaj teknologjie."

OBSH njofton se ritmi i gjetjes së një kure globale për formën e tuberkulozit që është rezistent ndaj ilaçeve është 48 për qind, krahasuar me shifrën 86 për qind të kurimit të tuberkulozit normal.

Dr. Raviglione thotë se janë miratuar dy ilaçe të reja, që ka mundësi ta shtojnë mundësinë e kurimit për të dyja rastet, të tuberkulozit rezistent ndaj ilaçeve dhe atij me spektër të gjerë. Por, ai thekson se ende duhen bërë përpjekje që këto ilaçe të kenë mundësi t'i përdorin njerëzit që kanë nevojë.

XS
SM
MD
LG