Lidhje

Të dhëna të reja për të kuptuar vrimat e zeza

  • Deborah Block

Shkencëtarët vazhdojnë të zbulojnë misteret e vrimave të zeza në hapësirë, të cilat kanë një forcë gravitacionale aq të madhe sa që nuk lejojnë as reflektimin e dritës. Vrimat e zeza krijohen kur yje super gjigandë shpërthejnë duke krijuar supernova me një shkëlqim të ndritshëm. E gjithë materja e shpërndarë nga ky shpërthim i fuqishëm mblidhet në një hapësirë të vogël nga graviteti. Tani një satelit japonez ka sjellë të dhëna që po ndihmojnë për të deshifruar sekretetet e vrimave të zeza që rezultojnë nga ky fenomen i gjithësisë.

Vrimat e zeza nuk dallohen nga syri i njeriut. Por teleskopë specialë i zbulojnë ato, duke diktuar si ndikojnë tek yjet që kanë pranë.

Në shkurt, agjencia hapësinore e Japonisë dërgoi në orbitë satelitin Astro-H për të studiuar struktura të mëdha të kozmosit, si për shembull vrimat e zeza që ekzistojnë në qendër të thuajse të gjitha galaksive.

Por sateliti pësoi defekt pas një muaji në hapësirë. Megjithatë, gjatë periudhës që funksionoi kishte mbledhur të dhëna shumë të rëndësishme për Perseusin, një bashkësi me qindra galaksi që ndodhet 240 milionë vjet larg Tokës.

Sateliti Astro-H kishte në bord një spektometër special me rreze X, i cili tregoi se gazi tepër i nxehtë në qendër të bashkësisë së galaksive lëvizte shumë më ngadalë se mendohej:

"Kjo na jep mundësi të bëjmë matje të sakta të energjisë që ushqen këtë masë gazi nga vrimat e zeza, masive, pra na jep mundësi të kemi një ide më të plotë të evolimit të galaksive: si formohen yjet, si ftohet gradualisht gazi që pastaj formon yjet,” thotë fizikani Brian McNamara.

Studiuesit po analizojnë edhe një lloj materjeje që quhet plazma e nxehtë, si dhe gazet që rrethojnë galaksitë.

"Këto janë gaze që nuk janë ftohur dhe kondensuar si shiu në atmosferë, duke rezultuar në formimin e yjeve apo planeteve. Pra kjo masë gazi përmban potencial për të ardhmen dhe ne po përpiqemi të kuptojmë se çfarë të ardhmeje ka përpara kjo galaksi dhe galaksi të tjera,” thotë studiuesi McNamara.

Vrimat e zeza super masive mund të ndikojnë tek forma dhe mënyra e evolimit të galaksive:

“Energjia e çliruar nga këto vrima të zeza është e lidhur ngushtë me proceset atmosferike dhe përbën lëndën nga e cila do të formohen yjet e ardhshme,” thotë zoti McNamara.

Kjo nënkupton se masa e padukshme gjigande në zemër të galaksive është pulsi që dikton si do të zhvillohet galaksia në të ardhmen.

XS
SM
MD
LG