Lidhje

Francë, garë e vështirë Sarkozi-Olandë

  • Andre Nesnera

Presidenti francez Nikola Sarkozi ndeshet me një betejë të vështirë në garën me kandidatin socialist Francois Hollande. Në vazhdim, korrespondenti i Zërit të Amerikës Andre de Nesnera, i hedh një vështrim zgjedhjeve të së djelës në Fraancë.

Në shumë mënyra, thonë ekspertët, kjo është një përplasje klasike mes së djathtës dhe së majtës në skenën politike të Francës. Por studjuesi i Institutit për Çështje Ndërkombëtare në Paris, Dominique Moisi, thotë se ka edhe një tjetër element në këtë fushatë presidenciale: ndeshja e personaliteteve.

“Në se do t’i përshkruanim me karikatura, kemi një dyluftim mes një kandidati i cili ka imazhin që e ka tepruar, dhe ky është Nichlas Saorkozy, dhe kandidatit tjetër, me imazhin që ka mungesa, dhe ky është Francois Hollande. Një burri, me energji të mëdha, gati i pabesueshëm, por që me nervozitetin dhe oportunizmin politik i ftoh njerëzit. Pra, ajo që i bën këto zgjidhje disi të veçanta është mospranimi i personalitetit të Nicholas Sarcozy-s.”

Pas 5 vjetësh në pushtet, zoti Sarkozy po ashtu shihet nga shumë francezë si një njeri që nuk i ka mbajtur premtimet, sidomos në fushën politike. Analisti i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë këtu në Shtetet e Bashkuara, Charles Kupchan, thotë se presidenti francez ndeshet me një betejë të vështirë për dy arësye.

“E para është se ekonomia nuk është përmirësuar. Zoti Sarkozy premtoi një “ndarje nga e kaluara” një liberalizim të tregut të punës. Dhe ai bëri disa hapa të rëndësishme për reformën e taksave dhe liberalizimin e tregut të punës, si dhe ngriti moshën e pensionit, por rritja ekonomike e Francës ka mbetur në vend. E dyta është se zoti Sarkozy duket se e ka humbur nuhatjen politike. Shumë francezë e nuk e shohin më atë si një figurë presidenciale, por si një njeri hiperaktiv, të paaftë për të ndjekur një kurs të qëndrueshëm.”

Analisti Dominique Moisi është dakord me këtë vlerësim.

“Ekziston një ndjenjë, sipas së cilës ai është zhveshur nga funksioni i presidentit, duke e ngatërruar jetën private me atë publike, se në stilin e tij ka diçka vulgare, që nuk i përshtatet postit që dikur e ka mbajtur gjenerali Charles de Gaulle.”

Anketimet e publikut tregojnë se në mos ndodhtë një mrekulli, zoti Sarkozy do t’i humbasë zgjedhjet dhe fitues do të jetë kandidati Francois Hollande.

Ekspertët thonë se edhe pasuesit e ekstremit të djathtë, të Partisë së Frontit Kombëtar të Marine le Pen-it, pritet ta braktisin zotin Sarkozy. Pesë vjet më parë ai mori mbështetje të konsiderueshme prej tyre, por ekspertët thonë se ai I ka armiqësuar shumë prej tyre, duke mos i mbajtur premtimet, përfshirë atë për kontrollin e imigracionit. Ja si shprehet analisti Dominique Moisi:

“Në se të gjithë votuesit e Frontit Kombëtar do të votonin për Nicholas Sarkozy-në, ata do të ndikonin tek rezultati i zgjedhjeve. Por, sipas anketave, vetëm 60 për qind e tyre do të votonin për Nicholas Sarcozy-në. 40 për qind të tjerët ose do të votojnë për kandidatin Holland, ose do të abstenojnë. Pra Sarkozy do të humbë disa nga votat që mundi të sigurojë në zgjedhjet e kaluara…”

Analisti Moisi thotë se udhëheqësja e Frontit Kombëtar, Marine le Pen, e cila doli e treta në zgjedhjet e muajit të kaluar, nuk do të votojë as për zotin Sarkozy dhe as për zotin Hollande.

“Ideali i saj është mundja e zotit Sarcozy dhe një ristrukturim i së djathtës me Frontin Kombëtar si një forcë kryesore. Në qershor do të ketë një raund të tretë votimesh me zgjedhjet parlamentare dhe ajo është duke pritur me shpresa të mëdha për rolin e ri të partisë së saj brenda të djathtës franceze.”

Përsa i përket zgjedhjeve presidenciale të së djelës, analisti Moisi dhe të tjerë thonë se për ironi, francezët nuk është e nevojshme të votojnë për Francois Holland-in, për shkak të politikave të tij. Ekspertët thonë se shumë francezë do të votojnë për kandidatin socialist për një arsye të thjeshtë, se ai nuk është Nicholas Sarkozy.

XS
SM
MD
LG