Lidhje

Të dielën, zgjedhjet presidenciale në Rusi


Të dielën në Rusi mbahen zgjedhjet presidenciale. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Andre de Nesnera i hedh një vështrim sfidave me të cilat përballet në këto zgjedhje kryeministri rus Vladimir Putin.

Për zgjedhjet presidencial në Rusi ka 5 kandidatë, përfshirë udhëheqësin e Partisë Kominste, Genadi Zuganov dhe biznesmenin miliarder Sergei Prokorov. Por personi që pritet t’i fitojë zgjedhjet është kryeministri aktual, ish-presidenti Vladimir Putin.

Shtatorin e kaluar zoti Putin bëri të njohur se do të kandidonte për postin e presidentit në zgjedhjet e 4 marsit, për t’i zënë kështu vendin presidentit të tanishëm Dmitri Medvedev, i cili pritet të zgjidhet kryeministër i qeverisë së re, post të cilin e mban tani zoti Putin.

Zgjedhjet presidenciale mbahen disa muaj pas zgjedhjeve parlamentare. Për zgjedhjet e dhjetorit u tha se pati manipulime të mëdha me votat dhe kjo shkaktoi demonstrata të mëdha në qytetet kryesore të Rusisë.

Analistë si Robert Legvold, thonë se protestata kanë evoluar në një sulm të drejtpërdrejtë ndaj autoritetit të zotit Putin.

“Sigurisht, protestat përfaqësojnë segmente të ndryshme të popullsisë ruse që janë të pakënaqura. Motoja e të gjitha protestave që nga shtatori, kur zoti Putin shpalli kandidaturën, ka qenë “Mjaft”, “Mjaft më”. Ose siç thonë rusët, jemi ngopur, sa na ka ardhur deri tek sytë.”

Sipas ligjit elektoral të Rusisë, në se asnjëri nga kandidatët presidencialë nuk merr më tepër se 50 për qind të votave, duhet mbajtur një raund tjetër votimesh. Sergei Glebov është ekspert për Rusinë në Kolegjin Smith të Masaçusetsit.

“Tani për tani nuk ka dyshim se zoti Putin do të sigurojë më tepër se gjysmën e votave dhe se ai do të fitojë me raundin e parë të zgjedhjeve, megjithëse kjo do të varet tek masa e mobilizimit të forcave kundër tij. Prandaj, ekziston edhe mundësia që të mbahet një raund i dytë zgjedhjesh.”

Analsiti Legvold thotë se cilido qoftë rezultati, kryeministri Putin do të ndeshet me probleme.

“Në se, në njërën anë, ai fiton që me raundin e parë dhe nuk ka përse të mbahet një raund i dytë zgjedhjesh, atëhere ai segment i gjerë i popullsisë, që votoi në dhjetor dhe që doli më pas në protesta, do t’i shohë këto zgjedhje si të manipuluara dhe kjo do të krijojë përsëri përshtypjen negative që u krijua në dhjetor, prandaj dhe do të reagojnë. Në anën tjetër, në se imponohet një raund i dytë zgjedhjesh, kjo do të thotë se zoti Putin merr një votë negative për udhëheqjen e tij, edhe në se ai fiton në raundin e dytë. Dhe ai e di se në raundin e dytë shkon më i dobët se kurrë ndonjëherë.”

Sergei Glebov është dakord me këtë analizë.

“Mendoj se e ndryshmja në këto zgjedhje do të jetë, se edhe në se Putini fiton, ai do të jetë një presidenti i një lloji tjetër. Sigurisht, që ai nuk mund të kërkojë të njëjtën shkallë legjitimiteti për mbështetjen popullore, siç ka pretenduar, të themi në vitin 2004.”

Atë vit zoti Putin u rizgjodh me një shumicë dërrmuese për mandatin e tij të dytë presidencial, duke marrë 71 për qind të votave. Por tani mbështetja për të është rreth shifrës 40 për qind. Robert Legvold thotë se në se zgjidhet president, zotit Putin do t’i duhet të merret me demonstruesit anti-qeveritarë.

“Atij do t’i duhet ta bëjë një gjë të tillë që herët: do t’i duhet të vendosë se si do t’i trajtojë protestuesit. A do të fillojë të marrë masa shtypëse, apo do të tregohet tolerant dhe do të bëjë disa ndryshime, që në fakt mund të ngjallin një rikthim të mbështetjes për të në publik? Kësaj pyetjeje nuk mund t’i përgjigjem. Nuk jam i sigurtë në se vetë Putini do t’i përgjigjej dot kësaj pyetjeje sot. Nuk di se si do të veprojë ai.”

Shumë ekspertë thonë se do të jetë diçka interesante për t’u parë në javët dhe muajt e ardhshëm, në se protestat kundër Putinit do të vazhdojnë të përhapen, dhe në se ato do të bëhen sfida e presidencës së tij të re.

XS
SM
MD
LG