Lidhje

Kryetari i BDI, takime në Tiranë

  • Armand Mero

Cështja e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni dhe cuarja përpara e projekteve të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë ishin sot në qendër të bisedimeve mes autoriteteve më të larta të Tiranës dhe kryetarit të Bashkimit demokratik për Integrim Ali Ahmeti. Edhe një herë përfaqësuesit e lartë të shtetit shqiptar vunë theksin te nevoja e respektimit të plotë të marrëveshjes së Ohrit dhe te rëndësia e faktorit shqiptar për të ardhmen e Maqedonisë.

Për Tiranën cështja e marrëveshjes së Ohrit mbetet thelbësore dhe me këmbënguljen e Shqipërisë, ajo u përfshi edhe në rezolutën e takimit të nivelit të Lartë të Natos në Uells. Kjo cështje u diskutua edhe sot në takimet që kryetari i Bashimit demokratik për integrim Ali Ahmeti pati në Tiranë me autoritetet më të larta të vendit. Ministri i jashtëm Ditmir Bushati e konsideroi atë si “busullën orientuese të shtet-ndërtimit demokratik dhe të përshpejtimit të proceseve modernizuese për Maqedoninë”. Ndërsa presidenti Bujar Nishani theksoi se “batimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit mbetet vendimtar për stabilitetin, bashkëjetesën ndëretnike dhe avancimin e Maqedonisë në proceset demokratizuese dhe integruese”. Kreu i Shtetit siguroi gjithashtu për mbështetjen e plotë të Shqipërisë në përpjekjet e faktorit politik dhe institucional në Maqedoni për avancimin dhe respektimin e plotë të të drejtave të shqiptarëve atje.

Për kryetarin e parlamentit shqiptar Ilir Meta, mbetet e rëndësishme edhe që Maqedonia të gjejë një zgjidhje për cështjen e emrit me Greqinë: “Për ne është e rëndësishme të vlerësohen përpjekjet e z. Ahmeti dhe të PDI-së dhe të gjithë faktorit Shqiptar në mbështetje të një zgjidhje sa më të shpejtë për emrin e Maqedonisë sepse kjo është mjaft e dobishme për të realizuar anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Është një objektiv i rëndësishëm që i shërben jo vetëm Maqedonisë dhe Shqiptarëve të Maqedonisë, por i shërben edhe të gjithë rajonit tonë”.

Sipas zotit Ahmeti, “anëtarësimi në NATO prodhon stabilitet, siguri dhe afrim mes dy komuniteteve më të mëdha. Ne nuk jemi peng i emocioneve. Ne duam një zgjidhje sa më parë që të arrihet mes dy vendeve Maqedonisë dhe Greqisë. Kemi inkurajuar forcat në vend, por edhe kemi kërkuar ndihmën e fqinjëve sepse nuk ka të bëjë se vetëm me Republikën e Maqedonisë, por duhet të kontribuojnë edhe fqinjët sepse Ballkani Perëndimor të jetë i anëtarësuar në NATO dhe BE. Dhe me pengesat dhe problemet të cilat i kemi akoma të pambyllura, të pazgjidhura është pengesë serioze”.

Në bisedimet e sot është folur edhe për marrëdhëniet dypalësh dhe intensifikimin e tyre si dhe cuarjen përpara të projekteve të bashkëpunimit në fushën e infrastrukturës por edhe të arsimit.

XS
SM
MD
LG