Lidhje

Të fituarit dhe të humburit në debatin mbi tavanin e borxhit

  • Xhim Mëllon

Të fituarit dhe të humburit në debatin mbi tavanin e borxhit

Të fituarit dhe të humburit në debatin mbi tavanin e borxhit

Në politikën amerikane, Uashingtoni është si të thuash në një gjendje rimëkëmbjeje pas një beteje të vështirë lidhur me ngritjen e tavanit të borxhit. Presidenti Barak Obama nënshkroi të martën një kompromis në ligj, duke bërë të mundur që qeveria të marrë më shumë borxhe për të përmbushur detyrimet e saj financiare, në shkëmbim të kërkesave të republikanëve për shkurtime të ndjeshme në shpenzimet qeveritare. Të dyja palët po marrin frymë më lirisht pasi shmangën mos pagimin nga qeveria të borxheve të saj, por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës për çështjet kombëtare, Jim Malone, një betejë tjetër lidhur mbi madhësinë e qeverisë federale do të zhvillohet pas pak muajsh.

Debati politik lidhur me tavanin e borxhit bllokoi kryeqytetin amerikan për javë të tëra dhe kur u arrit kompromisi shumica e analistëve politikë ishin të një mendimi se kërkesat e republikanëve për të filluar shkurtime drastike të shpenzimeve qeveritare kishin shvendosur qendrën e gravitetit politik në Uashington.

Republikanët mendojnë se janë në pozitë më të favorshme pasi kërkuan shkurtime të mëdha të shpenzimeve, si çmim për ngritjen e tavanit të borxhit. Shumë demokratë janë të shkurajuar dhe ndjehen se bënë lëshime të shumta për sa i përket shkurtimeve qeveritare, madje të zhgënjyer që presidenti Obama nuk luftoi më shumë gjatë negociatave.

Debati i borxhit u ndoq nga afër prej publikut amerikan dhe shumë të tjerë në mbarë botën dhe ata përjetuan atë që u shndërua në një shfaqje shpesh kaotike të demokracisë amerikane në veprim.

Rods Kuk është analist me një përvojë shumë vjeçare në mbulimin e debateve politike.

“Mendoj se është turp kur bëhet fjalë për imazhin tonë në botë. Por kjo është mënyra se si ka funksionuar qeveria jonë, veçanërisht gjatë 15 ose 20 vjetëve të fundit. Për të mirë apo për të keq, mes dy partive politike janë shtuar debate të tilla të shoqëruara me rreziqe të mëdha”.

Nga ana tjetër, çështje të vështira nuk janë lehtë të zgjidhen në një Kongres që përfaqëson dëshirën e një demokracie të madhe e të ndërlikuar, thotë ish ligjvënësi republikan nga Oklahoma, Miki Edwards.

“Ne jemi demokraci e një popullate prej 300 milion banorësh dhe me prejardhje shumë të ndryshme dhe kjo është shumë e rëndësishme. U morën vendime të vështira, duke debatuar hapur. Në fund të fundit, çdo gjë përfundoi mirë. Kjo nuk u arrit menjëherë, por u arrit në kohë që qeveria të vazhdonte pagimin e detyrimeve të saj financiare”.

Republikanët u ndjenë në pozita të forta pas zgjedhjeve në Kongres të vitit të kaluar kur fituan shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, madje fituan disa vende më shumë në Senatin e kontrolluar nga demokratët.

Analisti Rods Kuk thotë se ligjvënësit e rinj konservatorë, të mbështetur nga lëvizja Tea Party, e shfrytëzuan çështjen mbi tavanin e borxhit për të zhvilluar debatin mbi çështje edhe më të gjera: shkurtimet buxhetore dhe madhësinë e qeverisë qendrore.

“Mendoj se më në fund, për herë të parë pas shumë vitesh, ne po shikojmë zhvillimin e një debati bazë që duhet të zhvillohet në këtë vend dhe që është se çfarë lloj qeverie duan amerikanët”.

Pasi nënshkroi në ligj kompromisin e arritur nga Kongresi, Presidenti Obama iu kthye menjëherë çështjesh së krijimit të vendeve të reja të punës si dhe nxitjes së zhvillimit ekonomik, çështje këto me përparësi kryesore për votuesit në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

Analisti Kuk thotë se zoti Obama kishte shumë rreziqe politike në debatin e tavanit të borxhit. Mospagimi i detyrimeve financiare nga qeveria, thotë ai, mund të kishte dëmtuar rëndë ekonominë amerikane si dhe shanset e presidentit për t’u rizgjedhur.

“Nuk e kam të qartë nëse presidenti e forcoi pozitën e tij, por mund të them se ai nuk e dobësoi atë. Dështimi i Kongresit për të arritur një kompromis do ta bënte presidentin të dukej keq në sytë e elektoratit, veçanërisht si udhëheqës i vendit, por kjo u shmang”.

Por ish ligjvënësi Miki Edwards thotë se asnjëra palë nuk doli fitimtare nga debati i tejzgjatur mbi tavanin e borxhit.

“Politikisht është diçka e mahnitshme. Asnjëra palë nuk fitoi. Mbështetja e publikut si për republikanët edhe për demokratët, si për Kongresin edhe për presidetit pësoi rënie. Të gjithë humbën. Ky proces nuk ishte politikisht pozitiv për asnjë prej politikanëve të angazhuar”.

Beteja e ardhshme lidhur me shpenzimet qeveritare do të zhvillohet nga fundi i këtij viti, pasi një komision ndërpartiak i Kongresit do të bëjë rekomandime rreth shkurtimeve të mëtejshme të deficitit, gjë që pritet të rifillojë përsëri nga e para betejën mes politikanëve të Uashingtonit.

Demokratët po insistojnë tashmë se ngritja e taksave duhet të jetë pjesë e diskutimeve të këtij komisioni, pikpamje kjo që republikanët thonë se do ta kundërshtojnë me të gjitha forcat.

XS
SM
MD
LG