Lidhje

Votuesit e Tea Party, forcë e rëndësishme në Kentaki

  • Kane Farabaugh

Ata janë të shqetësuar rreth ekonomisë, si krijimi i vendeve të punës, shkurtimi i shpenzimeve qeveritare dhe zvogëlimi i qeverisë

Nën presidenti demokrat, Joe Biden përballet me anëtarin e Kongresit, Paul Ryan, kandidati republikan për nën president, në debatin e tyre të vetëm televiziv, që zhvillohet sonte në shtetin e Kentakit. Siç theksohet në materialin në vazhdim, ndërsa debati do të përqëndrohet pjesërisht në politikën e jashtme, votuesit e lëvizjes konservatore Tea Party, të cilët përfaqësojnë një numër në rritje të votuesve aktivë në politikë, janë më shumë të shqetësuar rreth çështjeve të brendshme si krijimi i vendeve të punës, shkurtimi i shpenzimeve qeveritare dhe zvogëlimi i qeverisë.

Votuesi i Kentakit, Eric Wilson është i shqetësuar rreth së ardhmes së fëmijëve të tij.

“Më duhet të bëj atë që është në interesin e tyre, t’u krijoj atyre mënyrën e jetesës, për të cilën ata kanë nevojë”.

Eric Wilson është aq i apasionuar sa që ai kryson Projektin 9/12 në Kentaki, një grup votuesish, që duan të rikthejnë gjendjen shpirtërore dominuese pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.

“Është dita pas 11 shtatorit, kur nuk kishte dallime mes shteteve republikane apo shteteve demokrate, ne ishim Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Por megjithë formulën jopartiake, shteti i zotit Wilson, Kentaki quhet shtet republikan, i cili aktualisht mbështet kandidatët republikanë për zyra publike. Dhe grupet si ai që kryeson Wilson janë mes më konservatorëve.

Popullariteti i tyre është pjesërisht rezultat i fuqisë në rritje të lëvizjes Tea Party. Ata ndajnë të njëjtat vlera dhe shqetësime.

“Më pëlqen fakti që Tea Party është një fenomen i paqartë dhe vështirë për t’u përcaktuar, por në thelb Tea Party mbështet idenë e një qeverie më të vogël, buxheteve të balancuara, borxheve më të vogla, një kod më të thjeshtë taksash dhe shkatërrimin e klasës politike”.

Këto ishin pikat kryesore, të cilat, sipas aktivistit David Adams, ndihmuan në zgjedhjen e përkrahësit të Tea Party, Rand Paul në Senatin amerikan nga Kentaki.

Zoti Adams, menaxheri i fushatës së kandidatit Rand Paul, thotë se Tea Party është një forcë që duhet konsideruar.

“Mendoj se Tea Party ka sjellë një riorganizim të plotë të Partisë Republikane”.

Votuesja demokrate, Liz Cook banon në Danvill të Kentakit, ku do të zhvillohet debati mes nën presidentit Joe Biden dhe rivalit republikan, Paul Ryan. Ajo është e shqetësuar rreth ngritjes së grupeve si Projekti 9/12 dhe Tea Party dhe dëshira e tyre për të shkurtuar ndjeshëm programet qeveritare.

“Është paksa e frikshme sepse unë i shikoj këto grupe si një pjesë ekstreme e Partisë Republikane. Mendoj se çdo grup ekstrem e bën më të vështirë për të tjerët që të zhvillohet një debat më i moderuar dhe më i arsyeshëm”.

Por drejtori i Projektit 9/12, Eric Wilson thotë se grupet e lidhura me Tea Party nuk janë ekstremiste.

“Tea Party përfaqëson ndjenjat e popullit. Dhe ndjenjat e popullit ende janë pakënaqësia, kthimi i pushtetit tek ata, kthimi i lirive, dhe thirrjet drejtuar zyrtarëve të zgjedhur që atyre t’u dëgjohet zëri'”.

Nuk është për t’u habitur që Mitt Romney ka shumë të ngjarë të fitojë në Kentaki në zgjedhjet e 6 nëntorit. Përveç kësaj, aktivistët e lëvizjes Tea Party synojnë të zgjedhin në legjislaturën e shtetit kandidatë, që mbështesin pikpamje konservatore si kthimin e të drejtave të abortit, mbështetje për industrinë e qymurgurit dhe shkurtimin e kujdesit shëndetsor për të varfërit. Për të arritur një objektiv të tillë, republikanët duhet të kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve të shtetit, diçka që ata nuk e kanë arritur për gati një shekull.
XS
SM
MD
LG