Lidhje

Lëvizja "Tea Party" mban tubime para zgjedhjeve të nëntorit


Lëvizja konservatore Tea Party mbajti mitingje në disa qytete të Shteteve të Bashkuara dje, duke premtuar se do të forcojë opozitën kundër politikave të demokratëve dhe do të mobilizojë një numër të konsiderueshëm votuesish për zgjedhjet e kongresit në nëntor.

Disa mijëra njerëz marshuan para ndërtesës të Kongresit në Uashington DC, shumë prej të cilëve mbanin në duar parulla me shprehjen “Kongres, ti je i shkarkuar” dhe thërrisnin “votoni kundër tyre”.

Në Sakramento të Kalifornisë, rreth 4000 njerëz morën pjesë në një miting të Tea Party-it, ku përkrahësit e lëvizjes bënë thirrje për anulimin e planit të Presidentit Barak Obama për kujdesin shëndetësor, për mbështetjen e kandidatëve konservatorë dhe për shkurtimin e taksave. Në St. Luis të Mizurit, protestuesit mbushën sheshin te Harku i Qytetit.

Shumë nga pjesëmarrësit në këto mitingje ishin veshur me ngjyrat e flamurit amerikan dhe mbanin flamuj të verdhë me një gjarpër me mbishkrimin “mos më sulmo”.

Votimet e nëntorit bëhen për të gjitha vendet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe 37 vende të Senatit prej 100 vendesh.

XS
SM
MD
LG