Lidhje

Mjete ujore robotike studiojnë Detin Keltik


Shkencëtarët në Angli po përdorin dy mjete ujore që punojnë pa personel, për të studiuar hidrologjinë dhe jetën nënujore të Detit Keltik, në brigjet jugore të Irlandës. Kjo zonë dallohet për një faunë ujore unike dhe shkencëtarët duan të kuptojnë përse këto specie i tërheq pikërisht ky mjedis nënujor.

Mjeti nënujor Slocum lëviz ngadalë nën sipërfaqen e ujit duke mbledhur të dhëna për Qendrën Kombëtare Oqeanografike në Angli dhe për Fondin Botëror të Florës dhe Faunës.

Ky mjet robotik shpenzon shumë pak energji, gjë që bën të mundur funksionimin e tij nën ujë për 30 ditë, duke mbledhur të dhëna për ekosistemin e Detit Keltik:

“Kemi valë zanore për të diktuar planktonet dhe peshqit, si dhe për të matur fuqinë e rrymave në ujë; kemi matësa nënujorë për të analizuar nivelin e klorofilit dhe materies organike, si dhe ndjesorë të tjerë”.

Mjeti lëviz nën sipërfaqe duke regjistruar topografinë e tabanit të detit.

“Na intereson të dimë, për shembull, si ndikojnë fenomenet e motit në det dhe nëse kanë pasoja tek jeta e gjallë nënujore dhe gjithashtu tek zogjtë e krijesat e tjera që ushqehen me peshk”.

Ndërkaq, një anije e vogël, e quajtur the C-Enduro ka një mision tjetër në Detin Keltik. Anija, e cila ushqehet me energji nga panelet diellore dhe nga një turbinë ere, mund të pluskojë për muaj me radhë duke mbledhur të dhëna për zona që dallohen për diversitet biologjik:

“Këto janë zona në oqean që janë më produktive se të tjerat. Zonat produktive tërheqin plankton, i cili tërheq më pas peshqit. Në zona ku ka dendësi peshku, ka edhe më shumë gjitarë deti dhe zogj që ushqehen me peshk”.

Përdorimi i mjeteve robotike pa personel drejtues ul koston e eksplorimit të detit, duke u dhënë mundësi shkencëtarëve të përqëndrohen në punën në laborator për të analizuar të dhënat e mbledhura. Ata besojnë se kërkimet që po bëhen do të ndihmojnë për të identifikuar nevojat e kësaj hapësire ujore për menaxhim dhe mbrojtje më të mirë në të ardhmen.

XS
SM
MD
LG