Lidhje

Teknologjia në Teksas shton prodhimin e gazit natyror

  • Greg Flakus

Shtetet e Bashkuara po përjetojnë një revolucion në prodhimin e energjisë, falë teknikave që bëjnë të mundur nxjerrjen e sasive të mëdha të gazit natyror nga formacione gjigante në thellësi të mëdha nën sipërfaqe. Me shtimin e prodhimit, po shtohet edhe përdorimi i gazit natyror, veçanërisht në fushën e transportit. Por siç theksohet në materialin në vazhdim, ekzistojnë shqetësime të grupeve ambjentaliste për mënyrat e nxjerrjes së këtij gazi.

Kompania LEAM Drilling Systems në Conroe të Teksasit ka vënë në përdorim këtë kamion, që punon me gaz natyror të kompresuar.
Nën-presidenti i kompanisë Scott Bradley thotë se gazi jo i kushtueshëm natyror e ka shndëruar në një investim të mirë blerjen e 18 kamionëve, që operojnë me gaz të kompresuar.

“Këta janë kamionë tip Ford-550 me 10 cilindra. I blemë para një viti dhe ata na kanë sjellë fitim”.

Teknologjitë, që e kanë bërë gazin natyror aq të lirë sa të përdoret për furnizimin e kamionëve, u shpikën në Teksas, kryesisht nga inxhinjeri George Phydias Mitchell.

“Ajo që ka ndodhur në këtë vend me naftën dhe gazin, veçanërisht me kompanitë e pavarura dhe tani ato të mëdha, po ndodh në gjithë botën. Është e pabesueshme”.

Në vitet 70-të kompania e zotit Mitchell filloi eksperimentimin me dy teknologji të quajtura shpërbërje hidraulike dhe eksplorim horizontal. Kompani të tjera eksploruese u zgjeruan menjëherë pas vitit 2002, kur zoti Mitchell shiti kompaninë e tij dhe publikoi metodat e tij të prodhimit.

“Fitova mjaft dhe desha ta publikoja suksesin tim”.

Drejtori i programit për shkencën e naftës në Universitetin e Hjustonit, Don Van Nieuwenhuise ((vahn NEW ehn hooz)) thotë se zoti Mitchell meriton shumë lavdërime për teknologjitë e tij.

“George Mitchell kombinoi këto dy teknologji dhe i tregoi industrisë së gazit se si mund të arrinte fitime të mëdha”.

Por Emily Wurth e grupit mjedisor, Food and Water Watch thotë se banorët afër disa zonave të eksplorimit janë të shqetësuar rreth ujit të pijshëm dhe kimikateve që përdoren për eksplorimin e gazit.

“Ekzistojnë disa shqetësime për ndikimet tek cilësia e ajrit si pasojë e kësaj praktike, e cila çliron gaze të dëmshme”.

Mbrojtësit e këtyre teknologjive thonë se, po të zbatohen rregullat e kërkuara, shpërbërja hidraulike mund të arrihet me pasoja shumë të vogla.

“Nëse do të arrinim sukses në turbinat me erë ose makinat elektrike, të ngjashme me këtë teknologji në naftë, nëse do të kishim një sukses të tillë teknologjik, ne do të shikonim lëvizjen e tregjeve në këtë drejtim dhe do të ndodhte pikërisht ajo që dëshirojmë të ndodhë”.

Sipas studimeve, amerikanët janë në favor të energjisë së ripërtëritshme, por anketat tregojnë gjithashtu se atyre u pëlqejnë përfitimet që sjell shtimi i prodhimit të gazit natyror, hapja e vendeve të reja të punës dhe ulja e çmimit të karburantit, megjithëse shqetësohen nga rreziqet e mundshme për mjedisin.
XS
SM
MD
LG