Lidhje

Një teknik spitali ndihmon në kërkimet mjekësore


Shumë njerëz, që para pak dekadash do të kishin vdekur nga sëmundje të zakonshme, janë sot ende gjallë falë përparimeve të bëra në teknologjinë mjeksore, përfshi mjete të krijuara nga studiuesit në laboratore. Por procesi, nga një projekt deri tek një pajisje e miratuar, mund të marrë vite. Greg Flakus i Zërit të Amerikës njofton nga Qendra Mjeksore e Teksasit në Hjuston.

Bashkëpunëtorët e tij janë tornot dhe turielat, në vend të mjekëve, infermjerëve dhe teknikëve mjekësorë. Por Juan Fernandez është një punonjës shumë i respektuar në spitalin metodist të Hjustonit.

Ai prodhoi këtë valvul për teknikët e sallës së operacionit, të cilët donin një mënyrë më të mirë për të mbikëqyrur kalimin e oksigjenit tek pacientët.

“Oksigjeni hyn dhe del këtu dhe ndjesori tregon se sa oksigjen i shkon pacientit,” thotë zoti Fernandez.

Këto lloj novacionesh herë-herë janë aq të sukseshme saqë kompanitë që prodhojnë pajisje i përfshijnë ato në projektet e tyre të reja. Inxhinjeri biomjekësor, Matthew Jackson punoi me Juan Fernandez për të zhvilluar pjesët e këtij simulatori kardiovaskular.

“Përfitimi nga mundësia për të prodhuar një pajisje këtu është se mund të krijohen zgjidhje të veçanta për probleme të ndryshme në një mënyrë të thjeshtë, duke hequr ose shtuar materiale për të krijuar diçka,” thotë Matthew Jackson
.
Juan Fernandez, i cili ka punuar për më shumë se 25 vjet në Qendrën Mjeksore të Teksasit në Hjuston thotë se përvoja sjell përfitime kur dikush i tregon atij një pjesë për të cilën ata kanë nevojë:

“Në letër çdo gjë mund të bëhet, por sapo përpiqesh ta krijosh si objekt, atëhere has në vështirësi.”

Zoti Fernandez ka prodhuar shumë pjesë të këtij simulatori kardiovaskular. Ai përdor një riprodhim plastik të aortës së pacientit për të testuar vërshimin e gjakut.
Matthew Jackson thotë se kishte nevojë për një pajisje plastike dhe jo metalike, sepse ajo duhet të futet në unazën shumë magnetike të pajisjes skanuese MRI, ose Imazhe me Rezonancë Magnetike.

“Kjo është diçka që Juan krijoi për ne dhe na ndihmon shumë në punën fillestare që po bëjmë në këtë projekt. Kjo valvul vendoset mes të dyja anëve. Ana e majtë shërben si ventrikul dhe ana tjetër si atrium dhe këtë pajisje e fut në magnetin e MRI-së sepse ajo është plotësisht plastike,” tha inxhinjeri biomjekësor, Matthew Jackson.

Disa prej përparimeve të hershme në kurimin e sëmundjeve të zemrës u bënë në Hjuston nga Dr. Michael DeBakey, i cili në vitin 1991, kërkoi ndihmën e Juan Fernandez për të prodhuar prototipin e një pajisjeje ndihmuese ventrikulare.

Për Fernandez kjo ishte diçka personale. Ai ishte vetëm 10 vjeç kur i ati i vdiq para syve.

“Ai filloi të merrte frymë me vështirësi dhe unë mendova se ai po luante me mua. Më pas thirra nënën dhe ajo telefonoi urgjencën, por ai kishte mbaruar. Mjeku tha se ai kishte përsuar goditje në zemër”.

Studjuesit, që hartojnë pajisje të reja fitojnë prestigj dhe para nga patentat, dhe mjekët që i përdorin ato fitojnë status në komunitetin e mjeksisë.
Juan Fernandez shmang vemendjen dhe preferon të punojë vetëm.

“Unë e di se kam ndihmuar njerëzimin dhe për mua asgjë tjetër nuk ka rëndësi,”
thotë ai.

Juan Fernandez është 65 vjeç dhe mund të dalë në pension, por ai vazhdon të punojë dhe të japë kontributin e tij në mjekësi.
XS
SM
MD
LG