Lidhje

Teknologjia dhe siguria kombëtare, mendimi i analistëve


Administrata Obama është vënë nën kritika pas njoftimeve se qeveria ka programe që mbledhin fshehurazi tabulatet telefonike të dhjetëra miliona amerikanëve si pjesë e luftës kundër terrorizmit. Njoftimet pasuan një incident tjetër, faktin që Departamenti amerikan i Drejtësisë kishte marrë fshehurazi tabulatet e bisedave të agjencisë Associated Press për hetimet lidhur me një celulë të al-Kaidës në Jemen. Siç njofton Vivian Chakarian e Zërit të Amerikës, ekspertët po ngrejnë pyetje se si duhet gjetur një ekuilibër mes lirive civile dhe sigurisë kombëtare.

Çështja e tabulateve telefonike ka shkaktuar polemika të zjarrta mes të majtës dhe së djathtës në politikën amerikane, duke çuar në kritika rreth masave të përgjimit që zbaton qeveria, të cilat disa i quajnë të tepruara dhe mjaft ndërhyrëse në privatësinë e njerëzve.

Disa ekspertë thonë se Departamenti i Drejtësisë ka shkuar përtej asaj që mund të quhet e përshtatshme. Sipas zotit Frank Sesno, drejtor i Fakultetit të Medias në Universitetin George Washington, veprimet e qeverisë përbëjnë abuzim.

"Të nxjerrësh tabulatet e dy muajve thirrjesh telefonike të njëzet gazetarëve, kjo është një ndërhyrje e trashë në mënyrën se si duhet të bëhet gazetaria, në mënyrën se si gazetarët duhet të mbrojnë burimet e tyre dhe në rrjedhën e lirë të informacionit që kërkohet në një shoqëri të lirë dhe të hapur."

Sipas zotit Sesno, është e rëndësishme që gazetarët të dinë se ka një ekuilibër mes së drejtës së publikut për të ditur dhe përgjegjësisë së qeverisë për mbrojtjen e një informacioni të caktuar në përpjekje për të mbrojtur publikun. Por ka një kufi, thotë ai:

"Çështja bëhet e rrezikshme kur qeveria u kthehet atyre që ngrejnë pyetje të tilla, kur u kthehet gazetarëve, duke u thënë: nëse kërkoni këtë informacion, bëni vepër kriminale. Në fakt kërkimi i një informacioni nuk duhet të jetë krim."

Teknologjia ka ndryshuar marrëdhënien ndërmjet njerëzve dhe qeverisë, jo vetëm duke prekur aftësinë e gazetarëve për të mbrojtur burimet e tyre, por edhe duke rritur mjaft aftësitë e përgjimit ndaj këtyre burimeve.

Të njëjtin mendim ka edhe ish-gazetari i New York Times-it, Bill Kovach:

"Teknologjia e re e komunikimit është arsyeja kryesore për këto debate. Pra, çështja nëse Kushtetuta amerikane dhe amendamentet e saj do të funksionojnë në shekullin e 21, do të varet nga ajo se sa do të kuptojmë ne mënyrën se si kjo liri e informacionit ndikon tani në zbatimin e ligjit nga ana e qeverisë në të gjitha nivelet. "

Sipas një ankete të kryer kohët e fundit nga Qendra e Kërkimeve Pew dhe gazeta Washington Post, shumica e amerikanëve - 56 përqind - thotë se programi i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë për monitorimin e tabulateve është një mënyrë e pranueshme që qeveria të hetojë mbi terrorizmin.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se një vendim gjykate që e lejon qeverinë të mbledhë fshehurazi të dhënat telefonike të amerikanëve është mjet me rëndësi kritike për të luftuar kërcënimet ndaj sigurisë.

Presidenti Barak Obama thotë se ai e mirëpret debatin në lidhje me kompromisin mes lirive civile dhe sigurisë, por është i vendosur të përdorë të gjitha mjetet për t'i mbajtur të sigurta Shtetet e Bashkuara.

Zoti Kovach mendon se është përgjegjësi e presidentit për të filluar një debat të tillë:

"Ne jemi tani një vend që përballet me një armik, që është i vështirë për t'u përkufizuar, pak i njohur për shumicën e njerëzve, i vështirë për t'u gjetur, pra me grupe të vogla të angazhuara në të gjitha llojet e veprimtarisë së fshehtë. Dhe me gjithë teknologjinë ekzistuese, sfida për presidentin dhe Prokurorin e Përgjithshëm është e jashtëzakonshme. Ata duhet të marrin përsipër fillimin e një debati me gazetarët dhe me popullin amerikan për ta përshkruar këtë konflikt, për të na thënë se ç'mendojnë dhe se si duhet të ecim përpara."

A mundet që synimet e sigurisë të arrihen pa shkelur mbi liritë demokratike dhe të drejtat themelore? Në këtë epokë dixhitale të kërcënimeve terroriste, shumë njerëz besojnë se një debat i tillë është i domosdoshem.
XS
SM
MD
LG