Lidhje

Teknologjitë e gjelbra të fluturimit në panairin ndërkombëtar në Paris

  • Isabela Çoçoli

Teknologjitë e gjelbra të fluturimit në panairin ndërkombëtar në Paris

Teknologjitë e gjelbra të fluturimit në panairin ndërkombëtar në Paris

Fluturimi i parë transatlantik me karburant pjesërisht të gjelbër është ulur në Panairin e Fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Parisit që u hap më 20 qershor. Biokarburet janë një prej shumë teknologjive të gjelbra, përfshirë energjinë diellore, që janë paraqitur në Panirin më të madh të Fluturimeve në botë.

I ndaluar në një nga pistat e aeroportit, ky avion që duket si gjithë të tjerët, sapo ka përfundur një udhëtim të veçantë që mund t’u hapë rrugën fluturimeve me teknologjinë e gjelbër. Një prej motorëve të tij ishte i furnizuar 50% me biokarburant.

Për kompaninë Haniuell që ndërmori këtë nismë, ky është një hap që demonstron përpjekjet e saj për të komercializuar burimet alternative të karburantit për industrinë e aviacionit.

Dy ditë para se të hapej zyrtarisht panairi i Parisit, Gulfstream G450 i Haniuellit u nis nga Moristaun i Nju Xhërsit dhe pas shtatë orësh u ul të shtunën në aeroportin Lë Burzhe, duke përdorur gjatë udhëtimit karburant të gjelbër.

Piloti, udhëtarët, ekzekutivët e Haniuellit dhe disa gazetarë e përshkruan fluturimin si krejtësisht normal, pa ndonjë ndryshim të dukshëm nga fluturimet me karburant nga nafta.

Xhim Rekoski, zv/president dhe menaxheri kryesor i energjisë së rinovueshme dhe kimikateve u tha gazetarëve se fluturimi shënoi një fillim të suksesshëm drejt përdorimit të karburantit alternativ që do të ndihmojë në reduktimin e çlirimit të gazit karbonik në atmosferë.

"Në veçanti ky fluturim sot uli sasinë e gazit karbonik të çliruar me 5,5 tonë gjatë udhëtimit të tij nga Shtetet e Bashkuara në Paris, dhe nëse biokarburantet do të përdoreshin në masën 10% në aviacionin komercial, kjo do të çonte në reduktimin me më shumë se 15 milionë tonë të gazit karbonik të çliruar në atmosferë. Me karburantin e gjelbër të përdorur për avionët nga Haniuell, ne japim një ndihmesë të ndjeshme për mbrojtjen e mjedisit dhe jemi krenarë që marim pjesë në këtë nismë”.

Haniuell ka prodhuar tashmë më shumë se 2 milionë e 500 mijë litra karburant të gjelbër. Tani për tani, biokarburet nuk e justifikojnë koston, por piloti i avionit që fluturoi nga Nju Xhersi, Fred Gregori, beson se ky nuk është thjesht produkti i fundit në teknologjinë e gjelbër, por ai është një produkt premtues që do të përdoret në industrinë e aviacionit.

"Mendoj se në një peridhë afatgjatë, vlera ekonomike e këtij karburanti do të jetë determinuese, sepse kur çmimet e naftës bruto të shkojnë në 100 deri 150 dollarë për fuçi, përdorimi i biokarburanteve do të jetë më i leverdishëm dhe rrjedhimisht do të nxisë konkurencën për prodhimin e tyre”.

Në skajin tjetër të spektrit të energjisë alternative qendron Solar Impalls që fluturoi nga Brukseli në Paris e që konsiderohet një nga yjet e panairit në Lë Burzhe. Themeluesit e saj e quajnë atë avion me karburant zero, pasi ai furnizohet krejtësisht me energji diellore.

Më e dallueshme në konstruksionin e avionit janë krahët e tij të mëdhenj, prej mëse 63 metrash, më të mëdhenj se ato të një Airbusi A340, por vetë avioni peshon sa një makinë familjare.
Shpejtësia mesatare e fluturimit të tij është 70 kilometra në orë dhe lartësia maksimale 8 mijë e 500 metra. Në krahët e tij janë vendosur më shumë se 10 mijë qeliza diellore që kapin energjinë e diellit. Një pjesë e kësaj energjie përdoret për fluturim dhe pjesa tjetër akumulohet për t’u përdorur gjatë fluturimit natën.

Për Betrand Pikard, inisiatorin dhe shefin e Solar Impalls, ambicja nuk është revolucionarizimi i aviacionit apo komercializimi i paneleve gjigante diellore, por ai është një mjet për të tërhequr vemendjen ndaj nevojës për një të ardhme më gjelbër.

“Ne duam të tregojmë se teknologjitë që na japin mundësinë të fluturojmë ditën dhe natën pa karburant, mund të përdoren edhe në jetën e përditëshme për makinat personale, për sistemet ngrohëse, për ajrin e kondicionuar, për kompjuterët, për ndriçim e për gjithçka tjetër”.

Panairi i 49-të ndërkombëtar i Parisit në aeroportin Lë Burzhe do të qendrojë i hapur deri më 26 qershor.

XS
SM
MD
LG