Lidhje

Dallasi kujton Presidentin Kennedy

  • Greg Flakus

Në një ditë të ftohtë dhe me shi, mijëra vetë u mblodhën dje në Dallas të Teksasit për të nderuar kujtimin e Presidentit John Kennedy pranë vendit ku ai u qëllua për vdekje nga një snajper 50 vjet më parë. Ceremonitë përkujtimore dje u përqëndruan tek simbolika e Presidencës së John Kennedit, frymëzimi që rrjedh prej saj në të gjithë botën dhe jo tek tragjedia e asaj dite.

Ceremonia e thjeshtë u zhvillua në Sheshin Dealey pranë rrugës Elm, ku plumbat e snajperit i morën jetën Presidentit Kennedy. Ajo ditë tragjike filloi me mot të mirë, me qiej të hapur, por ceremonia e djeshme u zhvillua nën qiej të zymtë, në temperatura të ulëta, nën një shi të lehtë dhe me erë të acartë.

Për Dallasin, ky ishte një moment solemn, pasi qyteti është përpjekur prej dekadash të shlyejë njollën e kësaj dite tragjike në historinë e vendit. Kryebashkiaku Mike Rawlings tha se “shpresa dhe realiteti” u përplasën atë ditë në qytetin e Dallasit, por qyteti ka ndryshuar, pjesërisht falë frymëzimit që ofroi Presidenti Kennedy.

"Sot, falë punës së shumë njerëzve, Dallasi ka ndryshuar. Unë besoj se horizonti i shpresës nuk u shua atë ditë në Teksas”.

Imazhi dhe figura frymëzuese e Presidentit Kennedy u përmendën në komentet e historianit David McCollough:

"Ai ishte shumë i ri kur u bë president, por pasi isha në moshë edhe më të re, nuk më dukej shumë i ri. Ai kishte ambicje për ta ndryshuar botën për të mirë dhe na e ka përcjellë ne këtë ambicje”.

Pikërisht ajo që simbolizonte Kennedy i tërhoqi njerëzit; të rinj e të moshuar u mblodhën në Sheshin Dealey të Dallasit. Miguel Andrews ishte pesë vjeç në qytetin e Meksikos kur u vra Presidenti Kennedy. Ai flet për vizionin ambicioz të Presidentit, si për shembull për misionin për të dërguar njeriun në Hënë:

"Ai mobilizoi amerikanët të shkonin në Hënë. Nuk mendoj se do ta kishte bërë dikush tjetër, nuk mendoj se do të ishte realizuar brenda më pak se një dekade”.

Astronautët amerikanë zbritën në Hënë afro gjashtë vjet pas vdekjes së Presidentit Kennedy dhe shumë nga projektet e tjera si të drejtat civile, u vunë në jetë në vitet pas vrasjes së tij.

Charlene Wyatt nga Dallasi ishte 12 vjeçe 50 vjet më parë, por vlerëson rolin e Presidentit Kennedy në nxitjen e ligjit për të drejta civile i cili më pas lejoi afrikano-amerikanët të merrnin pjesë plotësisht si pjesëtarë të shoqërisë.

"Ne arritëm një sens më të madh se do të mund të realizonin gjëra që s’i kishim bërë më parë, të arsimoheshim, të përparonim”.

Në 1963, Dallasi dhe pjesa më e madhe e zonës jug-lindore të Shteteve të Bashkuara zbatonin ndarjen racore, por sot Dallasi është një qytet i larmishëm ku jetojnë njerëz të racave e kombësive të ndryshme. Qyteti është dyfishuar nga popullsia. Sheshi Dealey, muzeu i ngritur në ndërtesën nga qëlloi snajperi dhe Përmendorja e Kennedit do të mbeten si relike të një krimi të shëmtuar dhe të një jete premtuese që u pre shkurt.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG