Lidhje

Teksasi feston betejën e 175-vjetorit të pavarësisë


Teksasi feston betejën e 175-vjetorit të pavarësisë
Teksasi feston betejën e 175-vjetorit të pavarësisë

Një nga betejat më të rëndësishme në Amerikën Veriore ka ndodhur 175 vite më parë në një fushë në lindje të qytetit Hjuston në shtetin e Teksasit. Në betejën e San Jasintos, më 21 prill 1836, ushtria e kryengritësve të Teksasit mposhti rreth 1 mijë e 500 ushtarë meksikanë dhe fitoi pavarësinë. Kjo ngjarje u bë shkak për luftën Meksikano-Amerikane në të cilën Shtetet e Bashkuara morën Kaliforninë dhe disa shtete tjera jugpërëndimore. Mirëpo kjo solli probleme dhe kontribuoi në fillimin e Luftës Civile në Shtetet e Bashkuara.

Për ri-krijimin artistik të një ngjarjeje historike kërkohet më shumë kohë sesa për ngjarjen e vërtetë. Në një nga fitoret më të mëdha në historinë Amerikane, një forcë e vogël teksanësh nën udhëheqjen e gjeneralit Sam Houston shkatërroi brenda 18 minutash kampin e fushimit të ushtarëve meksikanë.

Më parë meksikanët kishin fituar me lehtësi çdo betejë ndaj teksanëve dhe ishte ndoshta krenaria dhe vetë-besimi i madh që i dëmtoi ata. Pasi u kap rob, gjenerali meksikan Antonio Lopez de Santa Anna urdhëroi tërheqjen e trupave nga Teksasi. Ai nënshkroi një dokument që i dha Teksasit pavarësinë nga Meksika, veprim të cilin që eprorët e tij në Meksikë e quajtën të gabuar.

Në ri-krijimin e beteje që u zhvillua pikërisht në fushën afër monumentit të San Jasintos, Hilario de la Pena, një meksikano-amerikan nga San Antonio luan rolin e gjeneralit Santa Anna, i cili u dërgua në Teksas nga qeveria e Meksikës për të rivendosur rendin. De La Pena thotë se ai simpatizon Meksikën, por është në favor të palës fituese.

“A jam mëdyshës? Jo. Jam i kënaqur që Teksasi fitoi. Kam lindur dhe jam rritur në San Antonio dhe jam i kënaqur se si kanë përfunduar gjërat”.

Shumë meksikanë ende janë të pakënaqur nga humbja e Teksasit. Por disa nga kryengritësit, si Huan Seguin, ishin meksikanë. Dhe De La Pena thotë se kultura e tyre i ka rezistuar kohës.

“Kultura spanjolle është ende e pranishme në jugpërëndim të vendit. Dhe tani kultura hispanike është e pranishme në mbarë Shtetet e Bashkuara”.

Hispanikët janë grupi etnik me rritje më të shpejtë në Shtetet e Bashkuara dhe ka të ngjarë të bëhen kultura mbizotëruese këtu në Teksas dhe në shtete tjera jugpërëndimore në dekadat e ardhshme. Elizabeth Elizalde ka ardhur për të parë këtë ri-inskenim së bashku me djalin e saj Edgar.

“Në zemër jam banore e vërtet e Teksasit. Kam lindur këtu, dhe kam ardhur të brohoras për Teksasin. Prindërit e mij, të cilët janë nga Meksika, e tregojnë ndryshe historinë e betejës nga ajo që kam mësuar këtu”.

Por ajo thotë se Teksasi ishte ndarë nga kryeqyteti Meksikikan nga një mijë kilometra male dhe shkretëtirë. Edhe sikur Santa Anna të fitonte betejën, ai nuk do të ishte në gjendje ta mbante nën kontroll Teksasin.

“Ndoshta mund të ishte zhvilluar një betejë tjetër dhe ai do të humbiste sepse Meksika ishte shumë larg nga ky vend të cilin ata nuk ishin të aftë ta kontrollonin”.

Në anën tjetër të monumentit, në rajonin ku luftimet e ashpra ndodhën 175 vjet më parë, mësuesi i shkollës së mesme Scott Griffin u tregon nxënësve historinë e betejës. Ai është rritur në këtë rajon dhe ka mësuar historinë e këtij vendi. Zoti Griffin thotë se në rastin e Teksasit 175 vjet më parë, e kupton që disa njerëz fituan dhe të tjerët humbën.

“Nëse argumenton nga pikëpamja e meskikanëve është e vështirë të thuhet se nuk ishte territor i humbur, sepse dikur ishte i tyre dhe tani jo”.

Por zoti Griffin vë në dukje se Meksika kishte numër të vogël kolonësh në territoret që sot janë shtetet jugpërëndimore të SHBA, përfshirë Teksasin, ku luftëtarët e fiseve indiane Apache, Comache dhe fise tjera amerikano-indiane banonin.

“Meksika nuk mund të sillte njerëz të jetonin në këtë pjesë të Teksasit gjatë asaj kohe. Për këtë arsye Santa Anna lejoi imigracionin në atë që sot quhet Shtetet e Bashkuara”.

Disa hispanikë të Teksasit edhe sot e njohin trashëgiminë e tyre nga ajo kohë dhe duan të shohin të gjitha pikëpamjet që përfaqësohen në këtë ri-inskenim të betejës. 16 vjeçarja Jessica Torres ka veshur një bluzë meksikane për këtë ngjarje.

“Është interesante ta shikosh këndvështrimin e Teksasit dhe do të ishte interesante të shohim edhe këndvështrimin meksikan. Por sot unë kam veshur këtë bluzë sepse shkon me ngjyrën e pantallonave”.

Në vitet e ardhshme historia e kësaj beteje do të vazhdojë të tregohet dhe brezat e ardhshëm të Teksasit që përbëhen nga raca dhe kultura të ndryshme do t’a ri-rishikojnë historinë.

Çfarëdo pikëpamje tjetër që mund të dalë, fakti është se për shkak të kësaj beteje dhe luftës Meksikano-Amerikane që pasoi, Shtetet e Bashkuara dyfishuan territorin e tyre, dhe u bënë vend me brigje pranë dy oqeaneve dhe fuqi e rëndësishme në skenën botërore.

XS
SM
MD
LG