Lidhje

Tekstilet e së ardhmes dhe teknologjia e tyre


Tekstilet e së ardhmes dhe teknologjia e tyre
Tekstilet e së ardhmes dhe teknologjia e tyre

Rrobat që do veshim në të ardhmen do të jenë të ndryshme nga ato që veshim sot. Jo vetëm ndryshe nga ngjyra, stili, apo materiali.. Rrobat tona do të kenë aftësinë të na pakësojnë nivelin e stresit, ose të ndryshojnë ngjyrën sipas dëshirës. Në vazhdim do t’ju njohim me disa shembuj të teknologjisë së avancuar të tekstileve të eksperimentuara nga studentët e Kolegjit të Arteve në Institutin e Merilendit:

“Unë mendoj se shumë fustane nusesh janë tepër tradicionale dhe të mërzitshme, prandaj ato duhet të bëhen më interesante”.

Kështu, Methju Reding, student në kursin “Wash and Wear Electronics” në Kolegjin e Artit në Institutin e Merilendit, MICA, krijoi këtë fustan nusesh. Ai ka qepur në fustan disa mikrosensorë rezistentë ndaj ujit, të quajtur “Lilypad Arduinos”.

“Me këto butona të kuq programojmë ndriçimin, si dhe sensorët e ndryshëm që reagojnë ndaj lëvizjes, dritës dhe temperaturës. Këto susta blu, janë si motorë të vegjël, që programohen dhe krijojnë lëvizje në të gjitha drejtimet. Me to mund të realizosh aplikacione të ndryshme kinetike”.

Studentja tjetër, në të njëjtin kurs me Methju Reding, Veronika Olsen, u përqëndrua më tepër tek aplikacionet funksionale. Ajo dizenjoi një xhaketë, për të cilën ajo thotë se monitoron nivelin e stresit të personit që e vesh. Një sensor që reagon ndaj lëkurës dhe që lidhet pas mëngës mat përçueshmërinë e gjëndrave të djersës.

“Ne e kemi programuar sensorin përmes mikroprocesorit, në mënyrë të tillë, që kur trupi arrin një nivel të caktuar stresi, ndez një pajisje audio që fillon të luajë disa ritme që dëgjohen përmes kufjeve. Ato janë ritme që kanë vetinë të qetësojnë stresin”.

Artistja Anet Kauenberg është profesore në Departamentin e Fibrave të Kolegjit MICA. Ajo krijoi dy vjet më parë Laboratorin Kërkimor të Tekstileve të Sofistikuara për kombinimin e krijimit tradicional të tekstileve me teknologjinë e shekullit 21.

“Mendoj se kjo teknologji i përket së ardhmes. Të gjithë e dimë se pajisjet teknologjike po bëhen përherë e më të sofistikuara, përherë e më të manovrueshme. Kjo do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm tek produketet që do të shohim në të ardhmen, ku do të gërshetohen njëkohësisht arti, teknologjia dhe moda”.

Ideja e studentit tjetër, Tabor Barranti për novacionet e veshjeve në të ardhmen ka të bëjë me materialet që ndryshojnë ngjyrë.

“Në se dëshiron të ndërrosh ngjyrën e fustanit nga i kuq në të gjelbër, psh, këtë mund ta bësh bazuar mbi programimin me mikroporcesorët”.

Sasha de Konik merret me studimin e fibrave dhe tingujve. Ajo dëshiron të përdorë materiale që përçojnë elektricitetin për krijimin e veshjeve që shoqërohen me muzikë.

“I bie me lugë telit që përçon elektricitetin dhe presioni që ushtrohet mbi materialin, ndryshon numrat që kontrollojnë volumin”.

Studentja Nolla Yuan krijoi një xhaketë lëkure me ndriçim inkandeshent. Ajo thotë se mund ta veshë xhaketën e saj nëpër mbrëmje vallëzimi.

“Të gjithë studentët kanë krijuar modelet e tyre të veshjeve teknologjike dhe ata janë ende në fazën e provave”.

Por profesoresha Anet Kauenberg thotë se tekstilet e sofistikuara kanë një numër të madh zbatimesh në praktikë si dhe potencialin për të revolucionarizuar industrinë e modës.

XS
SM
MD
LG