Lidhje

Telefonët Blackberry krijojnë alarm mes disa qeverive të botës arabe

  • Mil Arcega

Një numër vendesh po shprehin shqetësimin se teknologjia e koduar në telefonët Blackberry u bën të mundur terroristëve që të komunikojnë lirisht pa pasur frikë se mund të zbulohen nga forcat e rendit. Zyrtarët qeveritarë në Arabinë Saudite dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe kanë kërcënuar të ndërpresin disa shërbime me mesazhe të Blackberry-it në rast se Research in Motion, kompania kanadeze që prodhon këtë telefon, nuk u jep atyre të drejtën të shikojnë mesazhet e koduara, kërkesë kjo që shqetëson mbrojtësit e së drejtës dixhitale.

Megjithë mirënjohjen për grataçielat e teknologjisë së lartë dhe lehtësitë e jetës moderne, përdorimi i disa teknologjive po krijon alarm në ekonomitë më të mëdha të botës arabe.

Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe po kërkojnë që prodhuesi kanadez i telefonëve celularë, Research in Motion t’i lejojë të hyjnë në informacionet e përdoruesve të telefonëve Blackberry përndryshe rrezikon pezullimin e shërbimit për shkëmbimin e mesazheve elektronike.

Analisti Ben Wood i firmës së teknologjisë CCS Insight thotë se kjo është një situatë e vështirë për një kompani që krenohet për shërbime mesazhesh, që sigurojnë privacinë e përdoruesve.

"Siguria është stampa e telefonit Blackberry dhe kompania duhet të sigurohet se kjo nuk preket. Megjithatë, është e qartë se ata nuk mund të lejojnë efektin domino të qeverive dhe autoriteteve rregullatore, që thonë se nuk do të lejojnë përdorimin e këtyre shërbimeve".

India dhe Indonezia janë mes një grupi vendesh të tjera që kanë shprehur shqetësim rreth shërbimeve të kompanisë Research in Motion për shkak të kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare, siç shprehen ato. Zyrtarë të qeverisë amerikane thonë se këto shqetësime janë legjitime, por përkrahësit e të drejtave dixhitale shqetësohen për abuzime të mundshme, veçanërisht nga regjimet autoritare.

Leslie Harris është presidente e Qendrës për Demokraci dhe Teknologji në Uashington.

"Në Emiratet e Bashkuara Arabe, i gjithë ky debat filloi sepse njerëzit po përdornin mesazhet në Blackberry për t’u organizuar pa qënë nevoja që të lëviznin duke përdorur karburantin me çmim të lartë në vend, megjithëse kjo mund të tingëllojë ironike. Pra ky ishte një organizim politik dhe nuk mendoj se ka të bëjë me sigurimin kombëtar".

Thuhet se në diskutimet mes Arabisë Saudite dhe prodhuesit të Blackberry-it është bërë përparim, por sauditët i kanë dhënë kompanisë afat deri në tetor që të përgjigjet.

Zonja Harris thotë se e drejta individuale e privacisë është në rrezik dhe konsumatorët duhet të jenë të vetëdijshëm se çdo gjë që hyn në komunikimet elektronike mund të përdoret kundër tyre.

"Nuk bëhet fjalë vetëm për të drejtën e qeverisë që të shikojë shkëmbime mesazhesh, por është edhe ana e saj ligjore. Ka pasur raste kur janë hapur shkëmbime të tilla informacioni kur bëhet fjalë për një divorc apo për të drejtën e rritjes së fëmijës".

Zonja Harris thotë se debati rreth Blackberry-it është i vlefshëm nëse i bën njerëzit të mendohen mirë para se të publikojnë diçka në Internet, madje mund të jetë i dobishëm nëse bëhet nxitje që qeveritë të zbatojnë rregulla më të ashpra.

Qendra për Demokraci dhe Teknologji po lobon për ndryshime në ligjet e komunikacionit elektronik në Shtetet e Bashkuara për të kufizuar aftësinë e qeverisë që të hyjë në të dhënat personale, me përjashtim të rasteve kur mund të provojë se është në rrezik sigurimi kombëtar. Kjo qendër thotë gjithashtu se kompanitë si Research in Motion duhet të jenë më transparente në marrëveshjet që arrijnë me qeveritë në mënyrë që konsumatorët të jenë në dijeni të rreziqeve.

XS
SM
MD
LG