Lidhje

Telefonët celularë dhe rreziku i radioaktivitetit

  • Astrit Lulushi

Telefonët celularë dhe rreziku i radioaktivitetit

Telefonët celularë dhe rreziku i radioaktivitetit

Një grup shkencëtarësh të organizatës Shëndeti Mjedisor (www.environmentalhealthtrust.org) ka lëshuar një raport të gjërë ku thuhet se 97 % e amerikanëve janë të ekspozuar ndaj rrezatimit të telefonit celular në nivele më të larta sesa shkalla e përcaktuar si e parrezikshme nga Komisioni Federal i Komunikimeve (FCC).

Autorët gjithashtu ngrenë pyetje rreth pasojave anësore afatgjata që mund të sjellë ky lloj rrezatimi; si shterpësi tek meshkujt nga mbajtja e telefonave celurarë në xhep, një lloj ekspozimi ky i pallogaritur gjatë studimeve të mëparëshme.

Autorët e studimit bëjnë thirrje për një rishikim të procesit të përcaktimit të niveleve të lejuara te rrezatimit, sidomos tani që këto lloj pajisjesh përdoren gjerësisht edhe nga fëmijët.

Debra Davis, ish këshilltare e lartë e presidentit Klinton,për çështje të shëndetit, thotë se nivelet e pranueshme të rrezatimit nga telefonët celularë janë bazuar në prova të vjetëruara që nuk trajtojnë shqetësimet afatgjate si ndikimi i këtij lloj rrezatimi tek fëmijët, gratë shtatzëne dhe tek burrat që mbajnë telefonat në xhep.

Ndër autorët e studimit është doktor Om Gandhi, ish shkencëtar pranë firmës Motorola, i njohur për kërkimet e para që përcaktuan rrezikun e pranueshëm radioaktiv në fillimet e telefonisë celulare. Autor tjetër i studimit është doktor Ronald Herberman, drejtor i institutit të Kancerit pranë universitetit të Pitsburgut në Pensilvani. Doktor Herberman është edhe drejtor i bordit të Shëndetit Mjedisor.

Trajtim kirurgjik i dhimbjes kronike

Rreth 100 milionë amerikanë vuajnë nga dhimbjet kronike. Krahas vuajtjeve njerëzore, këto dhimbje kushtojnë deri në 600 miliardë dollarë në vit në kujdes mjekësor dhe prodhimtari.

Para 7 vjetësh, Linda Brown u diagnostikua me “Trigeminal Neuralgiat”, gjendje që krijohet kur një enë gjaku shtyhet ndaj një nervi kryesor në fytyrë, duke shkaktuar dërgimin e sinjaleve të gabuara dhimbjesh në tru. Edhe presioni më i vogel, si p.sh., mbështetja e fytyrës në jastëk të butë ose një fllad i lehtë në fytyrë, mund të ndjehet si një goditje e dhimbshme në fytyrë.

Si miliona amerikanë, Linda Brown kërkoi shpëtim tek barnat kundër dhimbjeve. Sa më shumë barna merrte, aq më shumë ajo kishte nevojë. Dhe doktor pas doktori, vazhdonin t’i jepnin barna sa herë që ajo kërkonte. Kjo gjendje vazhdoi derisa një prej mjekëve i tha “jo më ilaçe, sepse ka mënyra të tjera për të ndalur dhimbjet.”

Doktoresha Dong Kim, është neurokirurge në qëndrën shkencore “UTHealth and Memorial Herman” në Houston të Teksasit. Ajo i krey Lindës një operacion, gjatë të cilit fijen nervore e mbështolli në një gjatësi prej disa milimetrash me një element të butë, në mënyrë që nervi të mos prekte venat e gjakut që shkaktonin dërgimin e sinjaleve të gabuara në tru. Për Lindën kjo ishte një mrekulli, që e ndjen sa herë që zgjohet. Ajo ka kohë që nuk merr më barna dhe tashmë jeton pa asnjë dhimbje.

Një ilaç kundër Osteoporozës parandalon humbjen e masës së kockave tek gratë me kancer në gji

Dihet se trajtimi i kancerit mund të ketë shumë efekte anësore. Kjo vlen veçanërisht për gratë që luftojnë kundër humbjes së kockave gjatë dhe pas trajtimit të kancerit në gji. Shumë paciente me kancer të gjirit trajtohen me bllokues hormonesh, për të trajtuar kanceret që nxiten a varen nga hormone. Këto barna bllokojnë prodhimin e estrogjenit.

Një nga efektet e mundëshme anësore të barnave bllokues është humbja e masës së kockave dhe shkaktimi i frakturave. Acidi zoledronic ka disa kohë që jepet për të luftuar osteoporozën veçanërisht për gratë pas-menopauzës. Ky ilaç është dhënë rregullisht për të njëjtat arsye edhe për pacientet e kancerit të gjirit.

Tani, një studim i ri botuar në numrin e tetorit të revistës “Cancer”, konfirmon se ilaçi Acidi Zoledronic është i efektshëm.

Studimi, më i gjatë i këtij lloji, përfshinë një periudhë 5 vjeçare. Autorët e studimit vëzhguan nga afër pacientet që morën Acid Zoledronic që në fillimi i terapisë kundër kancerit të gjirit, dhe pritën 36 muaj për të parë efektin. Rezultatet treguan se marrja e Acidit Zoledronic që në fillim të terapisë, ishte i dobishëm, dhe i mbronte gratë ndaj humbjes së masës së eshtrave në shpinë dhe në zonën e legenit. Edhe gratë që u vonuan në marrjen e Acidit Zoledronic, patën përfitime, duke ngadalësuar procesin e humbjes së kockave.

Acidet Zoledronic shiten në farmaci nën emrat – Zometa dhe Reclast.

XS
SM
MD
LG