Lidhje

Telefoni i ri iPhone 4S i kompanisë Apple

  • Mike O’Sullivan

Telefoni i ri iPhone 4S i kompanisë Apple

Telefoni i ri iPhone 4S i kompanisë Apple

Kompania Apple prezantoi dje versionin e ri të telefonit shumë popullor iPhone. Modeli i ri iPhone 4s ofron programe të reja, por ndeshet me një konkurrencë gjithnjë e më të fortë në treg.

Iphone i ri, i prezantuar nga shefi ekzekutiv i kompanisë Tim Kuk, ka një procesor shumë më të shpejtë dhe një aparat fotografik me cilësi më të lartë, siç shpjegon nënpresidenti i kompanisë Fil Shiller:

“Është ekrani me rezolucion të lartë; është shtresa prej çeliku inoks që e bën këtë telefonin më të hollë ndër telefonat inteligjentë”.

Telefoni ka një funksion për të ndihmuar virtualisht përdoruesin kur ka pyetje për shembull për të gjetur një restorant. Me këtë telefon bëhen kërkime në internet, mund të planifikosh takimet dhe të shkruash mesazhin zanor që i diktohet iPhonit. Sistemi i diktimit do të ofrohet fillimisht për gjuhët angleze, gjermane dhe franceze.

Për përdoruesit e produkteve Apple, çdo artikull i ri është i mirëpritur. Në universitetin e Kalifornisë së Jugut, Daylen Rigs që ndjek studimet për doktoraturë është shumë i kënaqur me produktet e firmës Apple:

“Unë i konsideroj shumë të avancuara. Të gjitha produktet që nxjerrin janë të reja dhe orgjinale. Janë më të mirat. Edhe programet janë nga më të qëndrueshmet”.

Kristofer Tod nga Majami i Floridas mendon se produkti i ri është mjaft i avancuar:

“Ajo që më tërhoqi më shumë interesin është përmirësimi i aftësisë së telefonit për të njohur zërin, për të dërguar mesazhe dhe email me udhëzimet që i jep me zë”.

Por kompania Apple mund të jetë viktimë e suksesit të vet, thotë analistja e tregut të telekomunikacioneve Elizabet Fajf, pranë Universitetit të Kalifornisë së Jugut:

“Tregu ka ndryshuar shumë që nga momenti kur iPhone u prezantua në vitin 2007. Në atë kohë nuk kishte të tjerë. Sot tregu ka plot konkurrentë, kryesisht nga Android”.

Sistemi Android, i zhvilluar nga kompania Google dhe partnerët e saj, po tërheq përdorues nga Apple.

Një rënie e vogël dje e aksioneve të Apple çon në përfundimin se Wall Street priste më shumë nga produkti i ri. Disa përdorues ankohen se është shumë i ngjashëm me telefonin e mëparshëm. Por kjo përdoruese është entuziaste:

“Nuk e di as vetë përse, por sa herë që Apple nxjerr një produkt të ri, dua patjetër ta blej. Ndoshta pasi çdo herë i shtojnë diçka të re dhe unë dua të kem një produkt që ka çdo gjë të mundshme”.

Apple thotë se iPhone është telefoni më i shitur në botë dhe kompania shpreson se modeli i ri do të ndihmojë për të ruajtur epërsinë në treg. iPhone 4S do të dalë për shitje në tregun amerikan dhe disa tregje të tjera të fuqishme më 14 tetor.

XS
SM
MD
LG