Lidhje

Telefonia celulare dhe rrjetet e ndryshme


Gjatë emergjencave të mëdha, si përshembull kur ndodhi shpërthimi gjatë maratonës së Bostonit në vitin 2010, celularët dhe rrjetet wireless mbingarkohen me shpejtësi. Një grup shkencëtarësh në Institutin Stevens të Teknologjisë, në Hoboken të Nju Xhersit, kanë krijuar dhe testuar me sukses një sistem që përdor automatikisht të gjitha rrjetet e disponueshme, duke i alternuar ato nga njëri tek tjetri dhe duke evituar kështu mbingarkesat.
Sot, telefonat celularë kanë aftësi të komunikojnë në mënyra të ndryshme thotë profesor Suba Subbalakshmi i Institutit Stevens të Teknologjisë.

“Janë disa lloje rrjetesh të aktivizuara në një paisje celulare. Kemi WiFi, LTE etj., por vetëm njëri prej këtyre rrjeteve përdoret në një kohë të caktuar.”

Me mbështetjen e Fondacionit Kombëtar të Shkencës dhe të Institutit Kombëtar të Drejtësisë, profesorët Subbalakshmi dhe Chandramouli, krijuan një wireless router smart të quajtur SpiderRadio, që përdor njëkohësisht pjesë të dy rrjeteve, duke lehtësuar dhe ngarkesën e tyre. Rajarathnam Chandramouli është me Institutin Stevens të Teknologjisë.

“Ka disa antena dhe mund të ketë qasje në disa prej rrjeteve njëkohësisht. Gjatë gjithë kohës, routeri analizon trasmetimet. Për çdo vendndodhje analizon cilësinë e rrjetit nga WiFi tek 3G apo rrjete të tjera. “

Studenti pasuniversitar Vidya Sagar, që ndërtoi anën teknike dhe shkroi algorithmet për paisjen SpiderRadio, thotë se komunikimi përmes rrjeteve të ndryshme ndikon gjithashtu edhe në rritjen e sigurisë.

“Nuk është aq e lehtë që dikush të zbulojë fjalëkalimet e përdoruesve pasi do t’i duhet të gjurmojë nëpër rrjete të ndryshme, gjë që është shumë e vështirë.”

SpiderRadio është testuar nga Laboratori Kombëtar në Idaho. Është aktualisht duke u përdorur nga departamenti i policisë në Brookline, Masaçusets, si dhe në Afrikën e Jugut, ku shërben si qendër komunikimi për një shkollë në Pretoria.

Ideatorët thonë se në të ardhmen aftësitë e paisjes do të transferohen në një program që mund të instalohet në çdo celular modern, duke i aftësuar paisjet celulare që të përdorin me lehtësi rrjete të ndryshme.

XS
SM
MD
LG