Lidhje

Telenovelat e përditshme, dikur shumë popullore, përballen me vështirësi


Telenovelat që shfaqen gjatë orëve të mesditës, ishin në të kaluarën një element kryesor i televizionit amerikan. Por sot ato përballen me vështirësi për të vazhduar transmetimin dhe mes tyre vetëm 4 janë ende në transmetim, por personeli i një prej këtyre telenovelave, që ka qënë në ekran për kohën më të gjatë, është i vendosur ta vazhdojë serialin.

Aktorët përgatisin skenën për telenovelën Days of Our Lives, e cila vazhdon transmetimin që nga viti 1965.

Këto telenovelave quhen opera sapuni pasi ato financoheshin nga ilaçet e larjes së rrobave. Days of Our Lives bën fjalë në hollësi rreth jetëve, dashurive, fitoreve dhe tragjedive të banorëve të një qyteti imagjinar, të quajtur Salem.

Bryan Dattilo, i cili luan Lucas Horton, thotë se shfaqja ka dashamirës në gjithë botën.

“Ne jemi të sukseshëm në shumë vende të botës, si në Australi, Afrikën e Jugut dhe në Francë. Kam qënë në Francë dhe njerzit më njohën me emrin e personazhit tim dhe më pyesin 'Lucas, Lucas, a je ti!'”

Por këto programe përballen me audienca më të vogla dhe me më shumë konkurencë thotë kritiku i televizionit, Brian Lowry i revistës së argëtimeve Variety.

“Veçanërisht gratë që ishin audienca kryesore e këtyre telenovelave gjatë ditës, nuk janë më aq shumë në shtëpi. Më shumë gra punojnë, ndërkohë që më shumë zgjedhje dhe kanale janë në dispozicion të tyre. Kështu që programet tradicionale gjatë ditës janë bërë gjithnjë e më pak ekonomikisht të sukseshme”.

Për programin Days of Our Lives orari i realizimit si dhe buxheti janë vështirësuar.

Deidre Hall, e cila luan psikiatren Marlena Evans, është një prej disa yjeve të njohura prej kohësh që u soll përsëri në skenë për të tërhequr shikues.

“Ne e xhirojmë shumicën e skenave në një ditë të caktuar dhe si rezultat jemi tepër të stresuar. Secili është i angazhuar në rolin tonë gjatë gjithë ditës dhe para perëndimit të diellit kemi përfunduar çdo gjë”.

Aktori britanik James Scott luan E. J. DiMera, një njeri i keq, por tërheqës.

“Në një farë mënyre është një shkëputje e madhe nga realiteti që audiencat amerikane shkojnë shumë larg dhe çdo gjë është më fantastike dhe shumë e ekzagjeruar”.

James Reynolds ka luajtur Abe Carver për më shumë se 30 vjet. Ai thotë se e trishton fakti që telenovelat e ashtuquajtura ‘drama sapuni’ nuk qëndrojnë dot më në transmetim.

“Pa dyshim që ne ndjehemi mirë rreth programit tonë, por shpresojmë gjithashtu që edhe programet e tjera të kësaj natyre do të vazhdojnë transmetimin. Mendoj se këto programe janë një pjesë shumë e rëndësishme e spektrit amerikan të argëtimit”.

Bryan Dattilo thotë se ai dhe kolegët e tij aktorë janë mirënjohës që çdo ditë shkojnë në punë.

“Mendoj se ne e vlerësojmë më shumë faktin që jemi këtu sepse nuk dihet se kur mund të jetë dita jonë e fundit. Shpresojmë që të kemi mbështetjen e simpatizantëve tanë dhe të vazhdojnë transmetimin”.

Ai thotë se regjizorët e programit janë të vendosur ta vazhdojnë transmetimin.

XS
SM
MD
LG