Lidhje

Temat e rendit të ditës në takimin e G20-tës

  • Henry Rodgwell

Temat e rendit të ditës në takimin e G20-tës

Temat e rendit të ditës në takimin e G20-tës

Udhëheqësit e vendeve të industrializuara të G20-tës do të mblidhen këtë javë në Francë, ndërkohë që ekonomia globale vazhdon të kërcënohet nga një krizë tjetër ekonomike. Ky takim zhvillohet vetëm pak ditë pasi vendet evropiane zhvilluan një takim emergjent në përpjekje për të shpëtuar euron.

Vendpushimi i Kanës njihet më së miri si qendër e miliarderëve, por këtë javë në rend të ditës do të jenë masat e ashpra ekonomike, ndërsa udhëheqësit e vendeve më të mëdha të industrializuar dhe organizata ndërkombëtare mblidhet aty për të diskutuar krizat ekonomike që mjegullojnë ekonominë botërore.

12 mijë forca policore franceze do të mbështeten nga forca speciale dhe ekipe me helikopterë për të mbajtur nën kontroll protestat e pritshme. Ndërkohë që nuk është zgjidhur ende krizave e borxheve, mund të ketë plot konflikte brënda suazave të takimit, thotë Stephanie Rickard e Shkollës Ekonomike të Londrës.

“Kjo është një mundësi për partnerët e G20-tës që të shqyrtojnë alternativat rreth marrëveshjes së borxhit të eurozonës. Mendoj se pas dyerve të mbyllura do të zhvillohen diskutime shumë të sinqerta e shumë të vështira lidhur me hollësitë e programit; kush do të japë fondet? Si do të funksionojë marrëveshja? A do të përmbahet kriza brënda eurozonës? Në publik, ata do të tregohen shumë të kujdeshëm rreth pasqyrimit të një fronti të bashkuar. Ata do të përpiqen të jenë sa më optimistë që të mos humbasin mundësinë për arritjen e marrëveshjes”.

Udhëheqësit evropianë ranë dakord javën e kaluar të arrijnë një marrëveshje për të ndalur përhapjen e krizës së borxheve. Në qendër të marrëveshjes është konsolidimi i fondit të Bashkimit Evropian për shpëtimin financiar.

Europa po shikon për ndihmë nga lindja në vende si Kina. Nuk është ende e qartë nëse kinezët do ta shpëtojnë Europën, thotë Tobias Blattner i kompanisë Daiwa Capital Markets.

“Në takimin e G20-tës, do të shikohet nëse udhëheqësit evropianë do të tregojnë angazhim si dhe shifra reale për të mbështetur eurozonën. Tregjet janë pikërisht në pritje të këtyre zhvillimeve”.

Presidenti kinez Hu Jintao shkoi dje në Austri para se të shkonte në Kanë.

Monedha kineze ka qënë për një kohë të gjatë objekt mosmarrëveshjesh në takimet e nivelit të lartë të G20-tës.

Europa dhe Shtetet e Bashkuara e akuzojnë Pekinin se e mban artificialisht të ulët vlerën e juanit për të ndihmuar eksportet e veta.

“Kina është në një pozitë shumë interesante pasi ka një farë pushteti. Kinezët mund të sigurojnë burimet për të ndihmuar shpëtimin e ekonomive të eurozonës, por në këmbim ata do të kërkojnë një farë lehtësimi të monedhës e ndoshta edhe më shumë fuqi në organizatat ndërkombëtare të negocimit”.

Pas euforisë së takimit të eurozonës javën e kaluar, investitorët presin hollësitë e marrëveshjes së G20-tës.

Nëse hollësitë e marrëveshjes nuk janë të qarta, analistët paralajmërojnë se shkëndija e dritës ekonomike nga Brukseli do të shuhet me shpejtësi në rivierën franceze.

XS
SM
MD
LG