Lidhje

Tension në parlament mes Kryeministrit Berisha dhe deputetëve socialistë


Tension në parlament mes Kryeministrit Berisha dhe deputetëve socialistë

Tension në parlament mes Kryeministrit Berisha dhe deputetëve socialistë

Parlamenti në Tiranë u përfshi në mbrëmje nga debate të tensionuara mes kryeministrit Sali Berisha dhe deputetëve socialistë të opozitës, të cilët kërkuan dorëheqjen e tij pas largimit nga detyra të zëvendës-kryeministrit Ilir Meta. Kjo ishte seanca e parë parlamentare në vitin e ri, ku palët nuk ndoqën programin e parashikuar.

Deputetët u përfshinë menjëherë në debate lidhur me aferat e dyshuara korruptive të ish-zëvendës-kryeministrit Ilir Meta, që dha dorëheqjen pas publikimit të një video-kasete të regjistruar fshehur nga ish-ministri i ekonomisë Dritan Prifti. Deputetët socialistë deklaruan se dorëheqja e tij nuk ishte e mjaftueshme, dhe se për korrupsionin me tenderat që flitej në kasetë duhet të japë dorëheqjen Kryeministri Sali Berisha.

Por zoti Berisha i hodhi poshtë akuzat dhe akuzoi kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama si autor të një montazhi të qëllimshëm me atë video kundër emrit të tij. Ai akuzoi zotin Rama si njeri pa moral politik dhe as familjar, duke iu referuar shkrimeve të shtypit për krizat e mëparshme të familjes së tij.

Ky ishte edhe shkaku që deputetët socialistë protestuan me forcë duke u ngritur pranë tryezës së Kryeministrit Berisha, dhe duke kërkuar fjalën në foltore. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, replikoi disa herë me zotin Berisha, derisa mikrofoni i foltores nuk u hap më, dhe seanca u ndërpre disa herë mes tensionesh, kur deputetët socialistë protestuan në kor para tryezës së kryeministrit, ndërsa ai u kërkonte të distancoheshin nga sjelljet e pajishme të kryetarit të tyre.

Tensionin në skenën politike e nxiti po ashtu edhe deklarata e zotit Meta se koalicioni nuk do të dobësohet, përkundrazi do të forcohet më tej, por socialistët e zotit Rama këmbëngulin se përgjegjësitë e aferave të dyshimta tashmë transferohen tek vetë Kryeministri Berisha.

Opozita socialiste ka lajmëruar një tubim proteste në fund të javës kundër korrupsionit qeveritar, ndërsa shumica po përpiqet të riparojë boshllëqet e krijuara nga dorëheqja e zotit Meta nga posti i zëvendës-kryeministrit dhe ministrit të ekonomisë. Presidenti Topi dekretoi ministrin e ri dhe zëvendës-kryeministrit nga radhët e LSI, e cila është një parti kyç në koalicionin qeveritar, megjithë votat e pakta në parlament.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG