Lidhje

Tensionet Rusi-Ukrainë rrezikojnë pastrimin e Çernobilit


Tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës kanë filluar të ndërlikojnë pastrimin në vazhdim të zonës ku ndodhi një prej katastrofave më të mëdha bërthamore në botë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Steve Herman njofton nga Çernobili në Ukrainë.

Në veri të Ukrainës, në afërsi të kufirit me Bjellorusinë, është duke u ndërtuar struktura më e madhe e lëvizshme në botë.
Kur të përfundojë, harku prej çeliku 250 metra i gjerë do të zhvendoset rreth 200 metra mbi shina, për të mbuluar sarkofagun e ndërtuar me ngut për të mbuluar reaktorin numër 4 të Çernobilit, pas shpërthimit të vitit 1986.
Shoferi ynë ka qenë më shumë se 500 herë në këtë vend, duke mos qëndruar asnjëherë më shumë se 15 minuta. Matësi i radioaktivitetit i tij tregon efekasitetin e kufizuar të strukturës së vjetër mbuluese, e cila është në rrezik shembjeje.

"Në fakt, ky nivel radioaktiviteti, për perimetrin brenda centralit bërthamor, tregon një zonë të pastër. Pra, rrezatimi nuk vjen nga toka. Ai del drejtpërdrejt përmes strukturës mbuluese."

Tonelata materiali radioaktiv u përhapën në qiell kur shpërtheu reaktori. Pasojat prekën Bjellorusinë dhe Ukrainën, që atëherë ishin pjesë përbërëse të Bashkimit Sovjetik. Por qeveria sovjetike në Moskë nuk dha alarm publik. Ishin disa shkencëtarë në Suedi ata që i thanë botës se diçka mjaft e keqe kishte ndodhur.

Fermeri Ivan Semenyuk thotë se nëse autoritetet sovjetike do t’u kishin thënë fshatarëve se ata nuk do të ktheheshin më kurrë në shtëpitë e tyre, do të ishte përhapur panik dhe ndoshta shumë prej 120 mijë njerëzve të zonës nuk do të pranonin të largoheshin.

"Ata na gënjyen. Unë mora me vete vetëm 20 patate dhe një tenxhere. U largova me makinën time të prishur."

Por zoti Semenyuk dhe gruaja e tij janë kthyer në shtëpi në mënyrë të paligjshme, ku mbjellin një fushë të vogël me grurë dhe rrisin disa pula e një derr, vetëm 12 kilometra nga vendi i aksidentit.

Pjesa më e madhe e zonës së ndaluar prej 30 kilometër katrorësh është bosh dhe e frikshme, dhe hyrja në të është e ndaluar për të gjithë, përveç punëtorëve të pastrimit dhe disa zyrtarëve, të cilët mund të shpenzojnë jo më shumë se 15 ditë në muaj brenda saj.

Një zyrtar i lartë komunist i asaj kohe, Leonid Kravchuk, i cili do të bëhej më pas presidenti i parë i Ukrainës së pavarur, e vizitoi vendin dy ditë pas shpërthimit.

"Sigurisht që zbulimi ukrainas, shkencëtarët e Ukrainës dhe ata që njihnin politikën e dinin që Moska nuk do t’i tregonte asnjëherë të vërtetën Ukrainës. Ata e dinin se Moska gjithmonë kërkonte ta kishte Ukrainën nën kontroll."

Njëzet e tetë vjet më vonë, ato dyshime fillestare të Ukrainës janë kthyer në një armiqësi të hapur, pas aneksimit rus të Krimesë.

Zyrtarët ukrainas thonë se Rusia e ka braktisur impenjimin e saj si anëtare e G-8 për të drejtuar mbledhjen e fondeve për kostot shtesë të sarkofagut të reaktorit bërthamor, të cilat arrijnë në qindra miliona dollarë. Deputeti ukrainas Valerii Kalchenko:

"Tani ata do të na e lënë ne barrën për të përfunduar ndërtimin e strukturës së re mbuluese të reaktorit dhe është shumë e paqartë nëse Rusia do të japë apo jo pjesën e fondeve për të cilën morën përgjegjësi."

Ka paralajmërime se nuk ka mbetur shumë kohë për të shmangur një katastrofë të dytë në Çernobil, për shkak të gjendjes së pasigurt të sarkofagut të vjetër.

"Kjo është arsyeja pse është shumë e rëndësishme që të mos humbasim kohë. Ndoshta kemi tre deri në katër vjet kohë për të përfunduar ndërtimin e strukturës së re."

Por edhe kur harku i ri mbrojtës të jetë pozicionuar duke mbuluar reaktorin me sarkofagun e vjetër, puna e rrezikshme nuk do të ketë përfunduar. Heqja e karburantit të përdorur dhe materialeve të tjera shumë radioaktive do të kërkojë dekada pune dhe do të kushtojë shumë miliarda dollarë, një barrë e rëndë financiare për Ukrainën.

XS
SM
MD
LG