Lidhje

Tensione Turqi - Danimarkë


Ka një konflikt në rritje ndërmjet Turqisë dhe Danimarkës në lidhje me lirimin e një shtetasi turk, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë një shkrimtar dhe aktivist anti-mysliman danez. I dyshuari u lirua nga policia turke në muajin shtator si pjesë e një marrëveshjeje shkëmbimi të 49 pengjeve nga ISIS dhe mendohet se tani i është bashkuar grupit radikal në Siri. Korrespondenti Dorian Jones njofton nga Stambolli.

I dyshuari është 27-vjeçari Basil Hassan me origjinë libaneze dhe është i kërkuar për tentativën e vrasjes së shkrimtarit danez Lars Hedeggard, një kritik i njohur i islamit.

Sipas policisë daneze, i dyshuari u largua nga Danimarka ditën që shkrimtari u plagos me armë dhe qëndroi për disa kohë në Siri përpara se të arrestohej në aeroportin Ataturk të Stambollit, kur po mundohej të hynte në Turqi në muajin prill me një pasaportë falso.

Ministria e Jashtme turke deklaroi se zoti Hassan u lirua në përfundim të proçedurave të duhura gjyqësore.

Sipas mediave, ai ka shkuar në Sirinë fqinje dhe i është bashkuar Shtetit Islamik.

Analisti diplomatik Semih Idiz, i gazetës turke Taraf, paralajmëron se mosmarrëveshja ndërmjet Turqisë dhe Danimarkës në lidhje me këtë lirim nuk ka gjasa të zgjidhet së shpejti.

“Është e qartë që danezët janë shumë të zemëruar. Ka patur komente nga nivelet më të larta. Edhe presidenti madje ka thënë se çështja nuk është mbyllur ende.”

Qeveria daneze synon ta përmendë rolin e Turqisë në këtë çështje gjatë takimit të BE-së në fund të këtij muaji, si mjet analize për të shqyrtuar nëse Turqia po përmbush standardet e bashkimit.

Edhe Ankaraja ka pakënaqësitë e saj me Kopenhagenin.

Javën e kaluar, një gjykatë daneze vendosi të lirojë 10 kurdë të cilët akuzoheshin për një financim prej 24 milionë dollarësh për organizatën e jashtëligjshme në Turqi, Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila figuron si grupim terrorist në listat e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. PKK-ja po e lufton shtetin turk edhe për të drejtat e kurdëve.

Analisti Idiz thotë se lirimi ia thellon më tej Anakarasë bindjen për hipokrizi nga ana e danezëve në lidhje me luftën kundër terrorizmit.

“Ankaraja ka vite që kërkon nga Danimarka ekstradim personash të cilët i konsideron terroristë të PKK-së. Ka kërkuar gjithashtu që Danimarka të mbyllë një kanal televiziv që Turqia e konsideron zëdhënës të PKK-së, një organizatë e konsideruar terroriste nga Turqia.”

Danimarka nuk është i vetmi vend i shqetësuar për lirimin nga Turqia të një radikali islamik.

Britania ka qenë gjithashtu e zemëruar prej lajmit se dy prej shtetasve të saj kanë qenë ndër 200 militantët e ndaluar nga autoritetet turke për t’u shkëmbyer më vonë me 49 pengjet turke që mbaheshin nga Shteti Islamik.

Këto incidente rrezikojnë të shtojnë shqetësimet e Perëndimit për qëndrimin e Ankarasë në luftën kundër Shtetit Islamik, thonë analistët.

Por, analisti Idiz vë në dukje se pozita gjeografike e Turqisë në kufi me Irakun dhe Sirinë, e rrit rëndësinë e Anakarasë si një aleat që vendet perëndimore nuk duhet ta humbasin.

“Mendoj se është një dilemë, pasi perceptimi i përgjithshëm për Turqinë në këtë drejtim nuk është shumë pozitiv. Pavarësisht se Turqia shfaqet si një aleate në mëdyshje, ajo është sidoqoftë një vend i NATO-s me të cilin duhet bashkëpunuar për shkak të vendndodhjes së afërt me situatën në Siri.”

Marrëdhëniet e Turqisë me vendet perëndimore janë të ndera, për shkak të rrezikut të rënies së qytetit Kobani në duart e radikalëve të Shtetit Islamik. Megjithëse Ankaraja deklaroi se do të lejojë kalimin e forcave kurde të Irakut që shkojnë drejt Kobanit për të luftuar kundër Shtetit Islamik, analistët thonë se ky gjest nuk do të mjaftojë për të ulur shqetësimet në rritje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG