Lidhje

Terapia me kuaj ndihmon fëmijët me çrregullime neurologjike


Terapia me kuaj ndihmon fëmijët me çrregullime neurologjike
Terapia me kuaj ndihmon fëmijët me çrregullime neurologjike

Lidhur me sëmundjet neurologjike, në fillim u fol për një terapi me delfinë, ndërsa tani, thuhet se edhe kuajt nund të ndihmojnë.

Në Argjentinë, terapia me kuaj po bëhet gjithnjë e më e pranueshme si alternativë për trajtimin e sëmundjeve si sindroma Asperger, autizmi dhe çrregullime të tjera mendore.

Që nga lëvizjet e kalit e deri tek lidhja emocionale dhe sociale me kafshën, terapia me kuaj u ofron fëmijëve një mënyrë tjetër për t’u lidhur me botën.

Ideja pas këtij trajtimi është se kontakti me kalin dhe ritmi i lëvizjes së tij lejon çlirimin e oksitocinës, një hormon që redukton ankthin dhe mundëson hapjen e receptorëve që rrisin aftësinë e mësimit a njohjes.

Në mënyrë indirekte, pacienti mëson si të përqendrohet më mirë, duke u inkurajuar nga efekti qetësues i kalërimit. Kjo përmirëson edhe qëndrimin trupor dhe koordinimin e lëvizjeve.

Klasat janë të hapura për fëmijë që nga mosha dy vjeç me çrregullime apo probleme neuro-muskulare.

Edhe të rriturit mund të trajtohen këtu, megjithatë, Klubi Hipiko ka në qendër kryesisht fëmijët e vegjël. Klasat drejtohen nga një grup mësuesish, doktorësh, kujdestarësh dhe vullnetarësh, të gjithë specialistë të përgatitur në këtë fushë.

Mes tyre është edhe pediatria Veronika Setepasi. Ajo i mësoi teknikat e terapisë me kuaj 15 vjet më parë në Itali dhe vazhdoi praktikën në vendin në Argjentinë.

Veronika thotë se ky trajtim u mundëson fëmijëve me disa lloje çrregullimesh dhe paaftësishë si të bëjnë një jetë më të pavarur.

Në klasat e terapisë me kuaj, një prej pacientëve më të vegjël është 4-vjeçarja Katalina Romeo.

Ajo u lind me një difekt të rrallë nervor që quhet Agenesis Corpus Callosum. Katalina e ka të vështirë të kontrollojë shtyllën kurrizore, të qëndrojë drejtë dhe të ecë.

Pas shqyrtimit të trajtimeve të tjera, nëna e saj Marina, e cila është vetë mjeke, mori rekomandime nga kolegët për ta sjellë Katalinën në klasat e terapisë me kuaj.

“Kjo nuk është vetëm terapi, por edhe argëtim,” thotë Marina. “Në rastin e Katalinës, e cila i ka lëvizjet shumë të ngadalta, kjo terapi e ndihmon të kontrollojë shtyllën kurrizore, dhe të qëndrojë drejt. Të gjitha këto mund të bëjnë të mundur që ajo të ecë, dhe ajo është shumë pranë arritjes së këtij qëllimi.”

Përkrahësit e këtij trajtimi thonë se lëvizjet tre-dimensionale të kalit janë qenësore për trajtimin e çrregullimeve të lëvizjeve tek njerëzit. Prandaj, pacientët si Katalina, në mënyrë të pavetëdijshme, u përshtaten lëvizjeve të kalit, dhe ndjekin ritmikën e lëvizjeve të kafshës.

Për fëmijët e vegjël, kjo terapi ka më shumë efekt, meqë lëvizjet e kalit, që është shumë më i madh sesa pacienti, janë të ekzagjeruara për përmasat e nnjë fëmije.

Marina thotë se dashuria e Katalinës për kuajt ka nxitur vajzën e saj të bëjë hapat e para drejt mundësisë për të ecur vetë.

Fillimisht, fëmijëve u gjendet një kalë që u përshtatet. Pastaj ata inkurajohen të krijojnë një lidhje me kuajt. Me përmirësimin e lëvizjeve, pacientët pastaj kalojnë nga kuajt e mëdhenj tek kuajt e vegjël. Lojërat me kuaj zhvillojnë edhe më tej lëvizjet dhe koordinimin si dhe anën shoqërore.

Doktor Vaisberg është drejtor i Pediatrisë Neurologjike në spitalin më të madh publik për fëmijë në Buenos Aires i quajtur Garrahan. Ai thotë:

“Lëvizja e kalit para, mbrapa përmirëson qëndrimin e fëmijës e sidomos tek pjesa e mesit. Kjo lëvizje harmonike dhe e sinkronizuar e nxit fëmijën të përdorë muskujt për ta drejtuar mesin. Kur ky ushtrim përsëritet, ai e ndihmon fëmijën të ketë qëndrim më të mirë.

Huan Frankrah është një nga pacientët që ka përfituar nga kjo terapi. Huani kishte probleme komunikimi mes trurit dhe shtyllës kurrizore dhe kjo ndikonte tek lëvizjet e tij kur ishte i vogël.

Ai e filloi terapinë me kuaj kur ishte i vogël. Tani Huani ndjehet thuajse fare i kuruar.

Diskriminimi i njerëzve me të meta mendore është ende problem në Argjentinë. Dhe Shoqata e Terapisë me kuaj i ka kërkuar qeverisë ta përfshijë këtë lloj trajtimi në skemën e sigurimit shëndetsor kombëtar.

Kjo do të krijonte mundësinë e trajtimit fëmijëve nga të gjitha shtresat e popullsisë.

XS
SM
MD
LG