Lidhje

Homazhe në Katedralen “Nënë Tereza”, hapet Shtëpia e Bamirësisë

  • Pëllumb Sulo

Në 15 vjetorin e ndarjes së saj nga jeta, Arqipeshkvi Rrok Mirdita vlerësoi Nënë Terezën si dëshmi se populli shqiptar mund të nxjerrë njerëz të aftë që ta bëjnë botën më të bukur

Katedralja katolike, e ndërtuar katër vite më parë në qytezën e Vaut të Dejës, është e vetmja në Shqipëri që mban emrin e bamirëses së njohur me origjinë shqiptare, Nënë Terezës. Në 15 vjetorin e ndarjes së saj nga jeta, në këtë Katedrale u mbajtën sot homazhe dhe një meshë e udhëhequr nga Arqipeshkvi Rrok Mirdita, i cili tha se Nënë Tereza është dëshmia se populli shqiptar është një popull prej të cilit mund të lindin njerëz të aftë që ta bëjnë botën më të bukur.

Ati i Shenjtë Papa Gjon Pali II, duke e lartësuar në nderin e altarëve më 19 tetor 2003, i tregoi mbarë botës se shqiptarët, populli shqiptar shumë i vuajtur, me një histori shumë të ndërlikuar, është një popull nga i cili mund të lindin njerëz të aftë të bajnë këtë botë më të bukur e, njëkohësisht, edhe duke shpaguar në një mënyrë imazhin e shpërfytyruar të kësaj toke, të këtij vendi, që po përpiqet të integrohet në familjen e madhe të popujve të qyteteruar.

Arqipeshkvi Mirdita, i cili 15 vite më parë morri pjesë në ceremonitë e lamtumirës për Nënë Terezën, në Kalkuta të Indisë, tha se vepra e saj në ndihmë të të varfërve është një shëmbull për të gjithë njerëzimin dhe, në veçanti, për shqiptarët, bijë e të cilëve ajo ishte.

E Lumja Nanë Tereza, kjo bijë e shtrenjtë e popullit shqiptar, na ndihmoftë gjithmonë të gjithëve që të kërkojmë dhe të gjejmë Zotin, Zotin e besimit tonë. Atëherë nuk do të kemi frike më nga asnjë mjerim.

Po sot, pranë Katedrales Nënë Tereza u inaugurua Shtëpia e Bamirësisë, një strehëz për njerëzit në nevojë.

I riu Gjovalin Marku, i cili prej disa vitesh lëviz vetëm me ndihmën e karrocës me rrota, tha gjatë ceremonisë se përurimit se shpresonte që, me ndihmën e Shtëpisë së Bamirësisë, njerëzit në nevojë të mos ndjehen të braktisur.


Shtëpia e Bamirësisë është një strehëz për njerëzit e braktisur dhe me aftësi të kufizuara. Ajo është ndërtuar me kontributin e Dioqezës së Sapës, Karitasit Dioqezian dhe familjes së Franco Felicit nga Italia.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG