Lidhje

Tërheqja e trupave amerikane nga Iraku deri në fund të vitit

  • Sharon Behn

Tërheqja e trupave amerikane nga Iraku deri në fund të vitit

Tërheqja e trupave amerikane nga Iraku deri në fund të vitit

Pas disa ditësh ushtria amerikane do t’i japë fund pranisë në Irak, pas thuajse 9 vjetësh. Ushtarë amerikanë dhe irakianë e shohin luftën me emocione të ndryshme. Korrespondentja Sharon Behn njofton nga Kampi Ader, pranë qytetit jugor të Irakut, Nasiriah:

Nga fundi i këtij viti, flamuri amerikan do të ulet në të këtë bazë të Irakut jugor. Kjo do të shënojë fundin e pranisë ushtarake amerikane atje prej thuajse 9 vjetësh.

Majori Butler Kendrick Jr. i Brigadës së 20-të ishte një nga të parët ushtarakë që shkuan në Irak në fillim të ndërhyrjes në vitin 2003. Ai ka shërbyer atje disa herë dhe është kthyer atje përsëri këtë vit, duke u bërë një nga ushtarakët amerikanë që do të largohen prej andej të fundit.

Ai parasheh një jetë të re kur të kthehet kur të kthehet në atdhe.
“Mezi pres të jem me vajzën dhe me gruan time, të shijoj gjërat e thjeshta në jetë.”

Por majori do të sjellë me vete kujtime të vështira. Humbja e komandantit të kompanisë, majorit James Ahearn 4 vjet më parë, i cili u vra nga një shpërthim bombe në verën e vitit 2007, është diçka që ai nuk do ta harrojë kurrë.
“Ai u vra në një sulm me bombë. Ato ditë nuk isha duke patrulluar me të si zakonisht dhe nga të gjithë shokët e mi të vrarë, atë e kam në mendje më tepër se të tjerët, sepse luftonim përherë bashkë…”

Në Irak janë vrarë më tepër se 4 mijë e 400 amerikanë. Shumë të tjerë janë plagosur. Shtetet e Bashkuara thonë se lufta e Irakut kishte si synim zëvendësimin e një diktature me demokracinë.
Gjenerali Jeffrey Buchanan thotë se atje ka përparim, por e ardhmja varet nga vetë irakianët.
“Si një njeri që ka shërbyer këtu për shumicën e 8 vjetëve të ndërhyrjes amerikane, për mua ka qenë tepër frymëzuese të shoh përparimin që është bërë, por njëkohësisht nuk e harroj dot kurrë koston dhe sakrificat e luftës. Mendoj se populli irakian ka tani mundësira të pafund, të cilat nuk i ka patur më parë. Shpresoj që ata tani do të dinë t’i shfrytëzojnë këto mundësi”.

Disa irakianë nuk janë të sigurtë në se ndërhyrja amerikane që la dhjetra mijëra irakianë të vdekur ja vlente.

Heba Hishamit i ka vdekur motra 22 vjeçe në një spital të Bagdadit. Mjekët nuk e shpëtuan dot, ngaqë nuk kishin mjetet e nevojshme.
“Nuk ka rëndësi se sa e vështirë ishte jeta para Sadamit, para luftës. I bëj pyetjen vetes, a ja vlente të vriteshin kaq shumë njerëz, kaq shumë të rinj? Jo. Mendoj se nuk ja vlente. Dhe problemi është se ne nuk po shohim ndonjë ndryshim në Irak. Shpërthimet vazhdojnë, sulmet me bombë vazhdojnë, vazhdojnë të vdesin njerëz…”

Tetë vjet e gjysëm luftë kanë lënë plagë të thella tek amerikanët që shkuan në Irak, ashtu sikurse edhe tek irakianët, të cilët e përjetuan luftën.

XS
SM
MD
LG