Lidhje

Tërmet tjetër i fuqishëm godet sërish brigjet verilindore të Japonisë

  • Zëri Amerikës

Tërmet tjetër i fuqishëm godet sërish brigjet verilindore të Japonisë

Tërmet tjetër i fuqishëm godet sërish brigjet verilindore të Japonisë

Një tërmet i fuqishëm goditi sërish brigjet verilindore të Japonisë në orët e vona të mbrëmjes sipas kohës lokale, duke shkaktuar mbylljen e disa centraleve elektrike dhe duke detyruar autoritetet të aktivizonin sinjalin e alarmit për një cunam të mundshëm. Banorët në zonën e prekur u udhëzuan të largohen nga ultësirat për në vende më të larta.

Kompania Elektrike e Tokios tha se nuk ka njoftime për ndonjë situatë emergjente në centralin bërthamor të Fukushimës dhe nuk ka njoftime për persona të dëmtuar. Punëtorët e centralit ishin larguar menjëherë për në vendstrehime pas tërmetit që ra në orën 23:30 sipas kohës lokale.

Një zyrtar i Agjencisë për Sigurinë Bërthamore të Japonisë tha se procesi i ftohjes së reaktorëve të dëmtuar të centralit të Fukushimës po vazhdon.

Punëtorët në këtë central ka tre javë që po përpiqen të normalizojnë situatën pas dëmtimit të sistemit të ftohjes nga tërmeti dhe cunami i 11 marsit.

Sipas institutit sizmik amerikan, tërmeti i sotëm ishte i fuqisë 7.1 ballë, me qendër rreth 40 kilometra nën fundin e detit. Një korrespondent i Zërit të Amerikës në Tokio tha se lëkundja u ndje e fortë në kryeqytetin e Japonisë.

Japonia është ende duke marrë veten nga tërmeti i fuqishëm prej 9 ballësh dhe cunami shkatërrimtar që pasoi atë më 11 mars.

XS
SM
MD
LG