Lidhje

Tërmetet në Oklahomë


Tërmetet po trondisin shtetin e Oklahomës në pjesën qëndrore të Shteteve të Bashkuara, më shumë se çdo shtet tjetër në vend, edhe më tepër se Kalifornia që ka përjetuar shumë tërmete.

Para vitit 2009, Oklahoma kishte gati dy tërmete në vit të magnitudës 3.0 ose më të fortë. Deri tani këtë vit, numri ka arritur në më shumë se 200. Një studim i ri sjell prova për këtë rritje që lidhen me puset nëntokësore të shpuara nga industria e gazit dhe naftës.

Më 5 nëntor, 2011, një tërmet i madhësisë 5.6 tronditi Pragën në Oklahoma, tërmeti më i madh që ka goditur ndonjëherë këtë shtet.

“Jam 71 vjec dhe e mbaj mend shumë mirë këtë,” thotë Katie Keranen që jetonte në afërsi të Pragës në atë kohë. Profesorja e gjeofizikës në Universitetin e Kornellit, ka drejtuar një studim për shtimin e madh të tërmeteve në Oklahoma.

“Menduam se, për t’u përgjigjur pyetjes përse ndodhi ky ose ai tërmet ishte e pamjaftueshme kur shohim se në këtë zonë ka patur shumë të tillë. Donim të gjenim shkakun, çfarë e shkaktonte këtë aktivitet sizmik në Oklahomë,” thotë profesorja Keranen.

Oklahoma ka gati 4 mijë e 400 puse nëntokësore ku ujërat e mbetura injektohen në thellësi të tokës pas shpimit për naftë dhe gaz. Keranen dyshonte se ato ishin të lidhura me tërmetet. Ekipi i saj llogariti sesi lëngu lëviz përmes shkëmbinjëve dhe regjistroi rritje të presionit të ujit në 89 qendra të tilla.

“Zbuluam se presioni i lëngut ishte rritur mjaftueshëm për të shkaktuar tërmet në pothuajse çdo rast,” thotë ajo.

Katër puse shumë aktive janë shkak për rritjen e presionit të ujit. Megjithatë rritja ishte aq e madhe saqë solli një front aktivitetesh sizmike dhjetra kilometra larg.

Studiuesja Keranen shpreson se rezultatet, të publikuara në revistën Science, mund të ndihmojnë industrinë e naftës dhe gazit të menaxhojnë më mirë mbetjet e ujit për të ulur impaktin:

“Mendoj se industria mund të mësojë cilat janë rreziqet më të mëdha, cilët janë faktorët e rrezikut për puset që shkaktojnë tërmetet dhe më pas të shpojnë puse që ta mbajnë presionin e ulët për të ulur rrezikun e tërmetit.”

Një zëdhënës i Shoqatës së Pavarur të Naftës tha se industria e mirëpret studimin. Ai shtoi se prodhuesit e naftës dhe gazit janë të angazhuar për të rritur sigurinë e prodhimit.

XS
SM
MD
LG