Lidhje

Tërmeti në Turqi nxjerr në qendër të vemendjes marrëdhëniet mes turqve dhe kurdëve

  • Dorian Xhons

Tërmeti në Turqi nxjerr në qendër të vemendjes marrëdhëniet mes turqve dhe kurdëve

Tërmeti në Turqi nxjerr në qendër të vemendjes marrëdhëniet mes turqve dhe kurdëve

Tërmeti i fuqishëm prej 7.2 ballë në pjesën juglindore të Turqisë, me popullsi kryesisht kurde, ka nxjerrë në qendër të vemendjes marrëdhëniet mes turqve dhe kurdëve. Tërmeti ra vetëm pak ditë pas vrasjes së 24 ushtarëve turq nga grupi rebel kurd, PKK. Përgjigja pas tërmetit, i cili shkaktoi mbi 500 të vdekur, të paktën 1,600 të plagosur dhe la mijëra të tjerë të pastrehë, është shoqëruar si me mbështetje të madhe humanitare por edhe me një nacionalizëm të shëmtuar nga disa turq ndaj të mbjetuarve. Siç njofton për Zërin e Amerikës Dorian Jones nga Stambolli, tërmeti me pasoja tragjike po shihet tani si një provë vendimtare për gjithë vendin.

Në të njëjtën kohë që rajoni me shumicë kurde përreth qytetit Van u godit nga tërmeti, turqit po demonstronin në gjithë vendin kundër vrasjes së 24 ushtarëve turq nga Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, PKK, të mbushur plot dhimbje dhe zemërim.

Por edhe ndërsa bëhej e qartë shkalla e shkatërrimeve nga tërmeti dhe ekipet e shpëtimit përpiqeshin të nxirrnin njerëzit e bllokuar nën rrënoja dhe të ndihmonin dhjetra mijëra të tjerë të pastrehë, gazetarja e njohur e televizionit, Muge Anil provokoi një stuhi kontradiktash kur tha se pse duhet t’i ndihmojnë turqit kurdët e dëshpëruar në zonën e tërmetit.

“Njerëzit duhet ta dinë se ku e kanë vendin. Kurdët qëllojnë me gurë policinë turke dhe vrasin ushtarë turq, dhe më pas kur e gjejnë veten në vështirësi, ata kërkojnë ndihmë nga ushtria dhe policia turke”.

Pas një sërë protestash, Muge Anil u detyrua të kërkonte falje, por analisti politik, Asla Aydintasba, i gazetës turke Milliyet, thotë se gabimi i gazetares Anil në television pasqyron ndjenjat e shumë turqve.

"Tërmeti që ra menjëherë pas vrasjes nga PKK-ja të 24 ushtarëve turq ka nxjerrë në hap një farë racizmi që ekziston në disa qarqe, përfshirë këtu edhe median. Ka nga ata njerëz që thonë se nuk u vjen keq për viktimat e tërmetit sepse atyre nuk u erdhi keq kur u vranë ushtarët turq. Kudo që të shkosh kjo ndjenjë ndaj kurdëve ekziston prandaj edhe ne duhet të përqëndrohemi te ky aspekt".

Por turq të tjerë kanë ndihmuar zonën e goditur nga tërmeti. Rrjetet televizive transmetuan një thirrje mbarë kombëtare të quajtur "Një zemër", duke grumbulluar milliona euro. Thirrjet për veshmbathje kanë gjetur gjithashtu një përgjigje pozitive. Megjithatë, organizatorët njoftojnë se në xhepat e disa prej rrobave të dhuruara kanë gjetur shënime fyese, që dënojnë kurdët. Ky është një problem i madh që ka çuar në kontrollin e të gjitha rrobave të dhuruara.

Shqetësimet rreth urrejtjeve të tilla etnike nxitën kryeministrin Recep Tayyip Erdogan që t’i dënonte ato me zemërim.

“Çdo fjalë, çdo frazë dhe çdo shprehje diskriminimi është çnjerëzore dhe e pa ndërgjegjshme. Këto janë ndjenja të sëmura dhe duhet të marrin fund”.

Kryeministri duhet të jetë i shqetësuar, thotë gjenerali në pension, Haldun Solmazturk, i cili e ka përqëndruar pjesën më të madhe të karierës së tij në luftën kundër PKK-së. Ai thotë se gjatë muajve të fundit është vënë re një shtim i luftimeve, ku kanë humbur jetën më shumë se 50 ushtarë turq. Gjenerali thotë se kjo po nxit një polarizim etnik tepër shqetësues dhe në rritje.

"Ka pasur një reagim të shpejtë dhe në rritje ndaj ngjarjeve në Turqinë juglindore, veçanërisht kur bëhet fjalë për pritat. Njerëzit kërkojnë përgjigje, të cilat nuk po i marrin as nga politikanët e as nga burokratët. Prandaj tensionet po rriten dhe reagimi drejtohet te popullata kurde. Në një farë pike, ky tension mund të pasohet me sulme. Kam frikë se ekziston mundësia që sapo sulme të tilla të fillojnë, ato mund të përhapen në gjithë Turqinë".

Vëzhguesit thonë se tërmeti që goditi zonën përreth qytetit Van po mer një rëndësi gjithnjë e më simbolike: A do ta bashkojë Turqinë një tragjedi e tillë apo do ta polarizojë edhe më shumë?

XS
SM
MD
LG