Lidhje

Qendrat energjitike dhe sulmet e mundshme


Ekspertët mendojnë se ka të ngjarë të kryhen sulme të tjera si ai i janarit në Algjeri

Çmimet e naftës u ngritën kur terroristët kryen kohët e fundit një sulm vdekjeprurës kundër një qendre të rëndësishme energjitike në Algjeri. Disa ekspertë mendojnë se ka të ngjarë të kryhen sulme të tjera të tilla, ndërkohë që armët dhe taktikat e përdorura do të sofistikohen edhe më tej.

Terroristët, që kanë lidhje me al-Kaidën sulmuan muajin e kaluar një kompleks të prodhimit të gazit në Algjeri. Ata dëmtuan pajisjet dhe morën pengje. Forcat qeveritare e rimorën kompleksin, por jo përpara se të vriteshin 37 pengje.

Ekspertët thonë se qendrat energjitike vihen në shënjestër sepse në personelin e tyre ka inxhinjerë të huaj, të cilët herë-herë mund të shkëmbehen për shuma të mëdha parash ose mund të tërheqin vemendjen për një kauzë të caktuar.

Kërcënimi po shtohet në Lindjen e Mesme, thotë eksperti i energjisë, Bernard Weinstein i Institutit Energjitik Maguire në Teksas:

“Diçka e re me sa duket ka të bëjë me shtimin e aktivitetit terrorist në Magreb të Afrikës së Veriut”.

Eksperti thotë se këto rreziqe kanë shtuar tashmë koston e naftës deri në 10 për qind. Rreziqet ndikojnë tek kostoja në të gjithë procesin e prodhimit, transportit dhe shitjen e naftës dhe të gazit. Për shembull, punëtorët kërkojnë paga më të larta kur punojnë në zona të rrezikshme, ndërkohë që sigurimet kushtojnë më shumë. Rritja e rreziqeve bën që investitorët të mos hedhin kapitale në kompani nafte nëse nuk u garantohen fitime më të mëdha.

Aktet e dhunës, ose edhe kërcënimi për dhunë, mund të ulë prodhimin, duke bërë që të ngrihet çmimi.

Chris Faulkner, zyrtar i lartë në kompaninë, Breitling Oil, thotë se ndikimi i sulmeve në të ardhmen mund të jetë shkatërrimtar:

“Pasojat ekonomike mund të jenë shumë të mëdha. Në se çmimi për fuçi rritet me 5 deri 8 dollarë ose nëse ndërpritet prodhimi dhe furnizimi, duke shkaktuar ngritjen me 50 dollarë, çmimet e karburantit në pikat e furnizimit për konsumatorët mund të ngrihen ndjeshëm. Kjo mund të sjellë panik në ekonomi të ndryshme dhe në tregjet financiare, duke shkaktuar dëme të mëdha”.

Gal Luft, ekspert i energjisë, thotë se sulmet në internet përbëjnë një shqetësim në rritje për kompanitë energjitike.

“Terroristët e dinë se janë pikat e dobëta, prandaj ata mund të përmirësojnë teknikat dhe të zhvillojnë aftësi që mund të shkaktojnë dëme të mëdha në tregjet botërore të naftës dhe të gazit”.

Deri tani, sulmet më serioze në internet kanë pasur si objektiv rrjetet elektrike dhe jo sistemin e prodhimit të naftës dhe gazit, por eksperti Luft thotë se kjo mund të ndryshojë.
Ndërkohë, çmimet e naftës që u ngritën menjëherë pas sulmit në Algjeri vazhdojnë të jenë të larta.


XS
SM
MD
LG