Lidhje

Raporti për terrorizmin: Shqipëria kontrolle jo të efektshme


DASH: Shqipëria i kushton më shumë vëmendje luftës kundër drogës. Shqiptarët në Siri, “institucionet ishin në dijeni që në vitin 2012”

Raporti vjetor i departamentit amerikan të Shtetit për terrorizmin vëren se Shqipëria e shikon këtë fenomen si një kërcënim më pak urgjent sesa lufta kundër narkotikëve. Ndryshimet politike të verës së kaluar thekson raporti nuk ndikuan në përpjekjet e përgjithshme të vendit kundër terrorizmit, i cili vë në dukje se ndonëse Shqipëria ka vullnetin politik për të bashkëpunuar me vendet e rajonit për nismat anti-terrorizëm, asaj i mungoi kapaciteti për të vënë në zbatim kontrolle të efektshme.

Në Shqipëri cështja e terrorizmit u vu në qendër të vëmendjes pak javë më parë, pas zbulimit të një celule e cila rekrutonte besimtarë muslimanë për t’u dërguar si luftëtarë në konfliktin e armatosur në Siri. Tetë persona u arrestuan, mes tyre edhe dy imamë. Afër 80 persona dhe familjarët e tyre mendohet të kenë shkuar në Siri, e të paktën 6 prej tyre mendohet të kenë mbetur të vrarë. Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit për terrorizmin shprehet se “institucionet e qeverisë shqiptare kanë qenë në dijeni prej vitit 2012 që një grup i vogël shqiptarësh kanë udhëtuar për të luftuar në Siri”.

Pas zgjedhjeve të qershorit të kaluar, drejtimi i vendit kaloi në duart e së majtës. Raporti vëren se “ndryshimi në qeveri nuk ndikoi në përpjekjet e përgjithshme të Shqipërisë kundër terrorizmit, ku administrata e re vazhdoi marrëdhënien e fortë të bashkëpunimit të vendit me SHBA”. Por sipas këtij raporti “Qeveria shqiptare i ka dhënë përparësi përpjekjeve të saj kundër narkotikëve dhe i drejton burimet e kufizuara të zbatimit të ligjit dhe sigurisë së kufijve kundër këtij objektivi, më shumë se sa kundër terrorizmit, të cilin e ka parë si kërcënim më pak urgjent”.

Shqipëria vlerësohet se “ka vullnetin politik për të bashkëpunuar me vendet në rajon për nismat anti-terrorizëm” por sipas raportit të Departamentit të Shtetit , “asaj i mungoi kapaciteti për të vënë në zbatim kontrolle të efektshme. Korrupsioni, bashkë me një sistem gjyqësor që funksionon keq, vazhdoi të pengonte përpjekjet e Shqipërisë për zbatimin e ligjit”.

Departamenti i Shtetit vëren gjithashtu se “Shqipëria nuk ka kapacitetin të grumbullojë të dhëna biometrike përveç atyre që gjenden në kartat e identitetit biometrike që paraqiten në pikat e kalimit të kufirit. Të dhënat e gjurmëve të gishtave nga emigrantët klandestinë grumbullohen, por jo të gjitha pikat e kalimit të kufirit janë të pajisura me skanera me lidhje të drejtpërdrejtë, çka çon në vonesa në përfshirjen e gjurmëve të gishtave në baza të dhënash elektronike apo identifikimin e individëve mbi bazën e të dhënave nga gjurmët e gishtave”, thekson raporti.

Prej qershorit 2012, sipas raportit, Shqipëria ka marrë angazhime të nivelit të lartë politik për të bashkëpunuar me organizma ndërkombëtare që trajtojnë cështjet e financimit të terrorizmit “për të trajtuar mangësitë e saj strategjike kundër pastrimit të parave si dhe kundërvënien ndaj financimit të terrorizmit. Është bërë përparim por mbetet punë për t’u bërë për të përforcuar kuadrin për bashkëpunim ndërkombëtar lidhur me financimin për terrorizmin dhe për të siguruar dhe vënë në zbatim një kuadër ligjor të përshtatshëm për identifikimin, gjurmimin, dhe ngrirjen e aseteve nga terrorizmi”, nënvizon raporti.
XS
SM
MD
LG