Lidhje

Lufta kundër terrorizmit dhe përdorimi i forcës


Tensionet janë në rritje mes ligjvënësve amerikanë dhe administratës së presidentit Obama lidhur me rregullat bazë për përpjekjet globale të Amerikës kundër terrorizmit, gati 13 vjet pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001. Kjo është e rëndësishme për çështje që variojnë që nga sulmet amerikane me avionë pa pilot, tek aktivitetet e CIA-s, e deri tek angazhimi i ardhshëm ushtarak i Amerikës në Afganistan, apo për të paraburgosurit që mbahen në gjirin e Guantanamos në Kubë.

Në javët pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, Kongresi autorizoi një fushatë të pakufizuar ushtarake kundër al-Kaidës dhe grupeve terroriste të lidhura me të. Ligji për Autoritetin për të Përdorur Forcën Ushtarake, ishte në qëndër të një fjalimi të presidentit Barack Obama vitin e kaluar.

“Jo të gjithë banditët që e etiketojnë veten si al-Kaida përbëjnë kërcënim të besueshëm për Shtetet e Bashkuara. Në se nuk disiplinojmë mendimin tonë, veprimet tona, ne mund të hyjnë në më shumë luftra të cilat nuk janë të nevojshme. Mezi pres të angazhoj kongresin dhe popullin amerikan në përpjekje për të përmirësuar dhe në fund të fundit, për ta shfuqizuar këtë ligj. Dhe unë nuk do të pranoj ta zgjas më tej mandatin e ligjit ekzistues”.

Një vit më vonë, ligji që Autorizon Përdorimin e Forcës Ushtarake mbetet në fuqi dhe rregullat për përdorimin e sulmeve me avionë pa pilot mbeten një çështje e politikës së administrates e pa përcaktuar me ligj. Zoti Obama po ashtu nuk duket se është më pranë realizimit të premtimit për të mbyllur qendrën e Guantanamos, megjithëse Kongresi ka vënë kufizime për mbylljen e këtij burgu ushtarak.

Në një seance dëgjimore në Komisionin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, kryetari Robert Menendez i bëri këtë pyetje këshilltarëve ligjorë të administratës:

“A është vjetëruar ligji për Autorizimin e Përdorimit të Forcës Ushtarake? A është ai i papërshtatshëm ndaj kërcënimeve tona dhe të aleatëve tanë, me të cilat përballemi sot dhe në të ardhmen?”

Avokati kryesor i Pentagonit, Stephen Preston, nuk pranoi të jepte vlerësimin e tij për ligjin në fjalë dhe foli në terma të përgjithshëm për atë që duhet në të ardhmen.

“Sdifa është të sigurojmë që autorizimet për operacionet ushtarake amerikane janë të përshtatshme dhe të hartuara si duhet për t’ju përgjigjur kërcënimeve.”

Komisioni kërkoi gjithashtu opinione nga ish zyrtarë amerikanë. Ish këshilltari ligjor i Departamentit të Shtetit Harold Koh argumenton kundër një ligji të përhershëm ushtarak.

“Nuk duhet ta trajtojmë këtë autorizim si të përjetshëm, si një mburojë që mund të deformohet dhe që mund të bëhet një force shtrembëruese. Ne duhet ta shfuqizojmë këtë ligj dhe të mbështetemi tek ligjet e tjera për të mbushur boshllëqet. Mosveprimi do të ishte me pasoja për politikën kundër terrorizmit dhe për kushtetutën tonë.”

Michael Mukasey, i cili ka shërbyer si Prokuror i Përgjithshëm nën administratën e presidentit Bush, thotë se argumentet ligjor lidhur me përdorimin e forcës ushtarake nuk marin parasysh një faktor më të rëndësishëm.

“Ka njerëz që janë të vendosur të shkatërrojnë civilizimin perendimor. Ne jemi objektivi kryesor i tyre. Mund të deklarojmë që nesër se lufta kundër terrorit ka përfunduar. Mund ta shfuqizojmë ligjin që Autorizon Përdorimin e Forcës Ushtarake, por kjo nuk do t’i ndryshojnë planet e tyre.”

Administrata e presidentit Obama këmbëngul se nuk ka qenë pasive në përdorimin e forcës së duhur ushtarake. Ajo vë në dukje përpjekjet e bëra për të parandaluar viktimat civile nga sulmet me avionë pa pilot, dhe informimin e komisioneve përkatëse të kongresit sa herë që është urdhëruar një sulm i tillë. Zyrtarët amerikanë thonë se ata do të jenë në një pozitë më të mirë për të vendosur rreth rolit të ardhshëm të forcës kundër terrorizmit, pasi të mësohet fati marrëveshjes së sigurisë me Afganistanin. Por Garanci të tilla nuk duket se i kanë bindur ligjvënësit amerikanë.
XS
SM
MD
LG