Lidhje

Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare publikoi sot studimin “Vlerësimi i rreziqeve për sigurinë kombëtare/ aftësia e shtetit e shoqërisë për të reaguar: lindja e një ndikimi të ri radikal dhe ekstremizmi fetar në Shqipëri”.

Studimi theksoi se Shqipërisë i mungojnë instrumentet de-radikalizuese për të ndërthurur masat strategjike, institucionale, policore dhe socialo-ekonomike.

Ndaj pritet që radikalizimi islamik do të vijojë në hapësirën publike, sidomos brenda grupeve të komunitetit mysliman, duke përdorur rrjetet sociale dhe internetin.

Keqpërdorimi i besimit mysliman po kërcënon sigurinë kombëtare dhe po bën të domosdoshme masave urgjente për ta goditur këtë dukuri, që po rrezikon bashkëjetesën dhe harmoninë fetare në vend.

Ekstremizmi i dhunshëm, mercenarizmi fetar, radikalizmi islamik, prania dhe përgatitja e xhihadistëve në Shqipëri, e shndërron vendin në territor të ekstremizmit fetar dhe në shënjestër potenciale të veprimtarisë terroriste.

Studimi theksoi se këto forma kërcënimi duhen neutralizuar para se të rrezikojnë e ta shndërrojnë vendin në një nyje ose portë të xhihadistëve për Evropën dhe Ballkanin.

Ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmi islamik kërcënon imazhin e vendit dhe rrezikon të formojë një perceptim të gabuar rreth Shqipërisë, e cila është vend-anëtar i NATO-s, një pjestare e vazhdueshme në luftën kundër terrorizmit që prej fillimit të viteve 2000, dhe vend kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Shqipëria mbështet luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar me burime njerëzore dhe materiale.

Por qeveria dhe shoqëria shqiptare duhet të jenë në gjendje të menaxhojnë kërcënimet që kanë si pikënisje territorin e saj, përpara se të mendojë për të ndihmuar jashtë kufijve.

Kërcënimi që i kanoset imazhit të Shqipërisë prej këtyre sfidave të sigurisë ka efekte të drejtpërdrejta negative tek investitorët e huaj dhe mbi turizmin shqiptar.

Tendencat radikale, fryma ekstremiste dhe prania e mercenarëve fetarë rrezikon të përthithë një vëmendjen e elitave dhe shoqërisë, duke e larguar atë nga debate për çështje themelore të ndërtimit të demokracisë.

Fakti që një grup luftëtarësh të huaj nga Ballkani janë shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë apo Shqipërisë, i projekton shqiptarët si ekstremistë, duke minuar pozitat e tyre ndërkombëtare në Ballkan dhe botë.

Studimi nxori po ashtu se keqpërdorimi i fesë nga ekstremistët islamikë është një përpjekje për kriminalizimin e islamit në Shqipëri.

Brenda strukturave të tyre veprojnë struktura të krimit të organizuar.

Po ashtu ekziston rreziku i instrumentalizimit dhe amplifikimit nëpërmjet mediave lokale dhe ndërkombëtare, duke hiperbolizuar dhe krijuar një situatë imagjinare, duke ofruar terrenin e nevojshëm për të krijuar një problem real dhe mjedisin që do të favorizonte një konflikt fetar në të ardhmen.

Një situatë e tillë rrezikon të dëmtojë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe të ardhmen e vendit - përfundon studimi i Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG