Lidhje

Terrorizmi, mblidhet Këshilli i Sigurisë

  • Armand Mero

Shqipëri, Presidenti Nishani dhe kryeministri Rama:Jemi të ekspozuar ndaj kërcënimeve. Theksohet nevoja e forcimit të bashkëpunimit dhe koordinimit mes institucioneve të sigurisë. Rama: Së shpejti Qendra kombëtare e sigurisë

Në Tiranë presidenti Bujar Nishani thirri sot në mbrëmje mbledhjen e Këshillit të Sigurisë kombëtare për të diskutuar rreth situatës dhe kërcënimeve terroriste ndaj të cilave dhe Shqipëria nuk është e përjashtuar, aq më tepër që sic theksoi dhe zoti Nishani dhe kryeministri Edi Rama, vendi është anëtar i Natos dhe pjestar aktiv edhe i koalicionit botëror kundër terrorizimit. Të dy përfaqësuesit e lartë shtetërorë, vunë theksin në nevojën e forcimit dhe koordinimit mes institucioneve të sigurisë. Kryeministri njoftoi ngritjen shumë shpejt të një strukture që do të kryejë funksionet e qendrës së sistemit të sigurisë përmes koordinimit të të gjitha agjencive që veprojnë në këtë fushë

Ndërsa pas ngjarjeve të Parisit, në shumë vende të Europës janë përforcuar masat e sigurisë ndaj terrorizimit, edhe Shqipëria është angazhuar në disa drejtime për t’i bërë ballë kërcënimeve të mundshme. Disa dhjetra qytetarë të saj prej kohësh janë rekrutuar dhe janë përfshirë në krahë të organizatave terroriste në luftimet në Siri dhe Irak, ndërsa nga ana tjetër, ashtu sic u theksua edhe në takimin e thirrur sot nga presidenti Bujar Nishani, Shqipëria është anëtare e Natos dhe ndër vendet e para që u rreshtua në koalicionin ndërkombëtar kundër terrorit. Elementë që nuk e lënë vendin jashtë hartës së rrezikut, përkundrazi, sic u shpreh dhe kryeministri Rama e bëjnë atë “plotësisht të ekspozuar ndaj rrezikut të terrorizimit ndërkombëtar. “Edhe pozicioni gjeostrategjik dhe gjeografik, si një udhëkryq mes Europës, Afrikës veriotre dhe Azisë, në kuadrin edhe të një fluksi të madh emigrimi të paligjshëm e bëjnë vendin një objektiv për ta shfrytëzuar territorin shqiptar për të lëvizur e kaluar në vende të tjera”, u shpreh presidenti Nishani.

Kreu i shtetit deklaroi se “cdo vend e demokraci ndihet e rrezikuar, prandaj është detyra e institucioneve për të vlerësuar realisht këtë rrezik global të lirisë dhe sigurisë e për të qenë të koordinuar për veprime të përbashkëta në kuadër të aleancave”.

Edhe kryeministri Rama nga ana e tij u shpreh se “nuk ka dyshim që mësimi i parë i nxjerrë është nevoja për koordinim e bashkëpunim të thellë mes institucioneve të sigurisë. Në këtë aspekt janë trashëguar probleme – deklaroi ai - ne kemi mjaftueshmërisht struktura sigurie, por kemi hapësirë për ti bërë të funksionojnë më mirë si pjesë integrale e një sistemi të vetëm sigurie”. Sipas kryeministrit “krijimi i një strukture në shërbim të këtij qëllimi, që do të kryente funksionet e qendrës së sistemit të sigurisë, është një nevojë e përhershme, një rekomandim i kahershëm dhe një prioritet i përcaktuar dhe nga strategjia dhe besoj se kjo qendër do të ngrihet së shpejti”. Kryeministri theksoi si të nevojshëm që bashkëpunimi mes institucioneve të sigurisë edhe të testohet. “Funksionimi i sistemit të sigurisë kombëtare si një i vetëm është sfida jonë dhe kërkon koordinim në nivelin më të lartë politik, gjë që ky Këshill i sigurisë kombëtare ka për detyrë të bëjë dhe po e bën, por kërkon koordinim dhe në nivelin ekzekutiv mes gjithë institucioneve, sic kërkon trajnim, stërvitje por dhe testim, pa pritur të testohet kur një akt i rëndë ndodh dhe e vë në sfidë sistemin”.

Zoti Rama u shpreh gjithashtu se nuk duhet parë e shkëputur “lufta jonë me pjesmarrësit shqiptarë në këto fushata egërsirash terroriste, nga lufta ndaj akteve të brendshme të terrorit”, tha si duke përmendur “sulme me tritol ndaj linjave të furnizimit me energji, apo ato me eksploziv në mes të qyteteve, trafikimi i eksplozive, armëve dhe minave janë krime të mirëfillta terrori”.

Kryeministri vuri gjthashtu theksin edhe te “sensizibilimi i vazhdueshëm i shoqërisë për rreziqet” e cila sipas tij “përbën një domodoshmëri. Vetëm përmes njohjes së thellë mund të arrihet pjesmarrja e gjerë shoqërore në luftën kundër fenomeneve që kërcënojnë shoqërinë dhe kur qytetarët arrijnë të binden realisht për rreziqet ata janë më të gatshëm të bashkëpunojnë, duke përbërë një burim të pazëvëndësueshëm informacioni dhe fuqie”. Nga ana tjetër ai nevizoi dhe rolin e vecantë, që përvec, mediave, shklollave dhe universiteteve, kanë dhe vetë institucionet fetare. “Në vendin tonë janë një nga asetet më të cmuara të kohezionit tonë social e kombëtar dhe një fuqi shumë e madhe të cilën Shqipëria ka fatin ta ketë në anën e duhur të historisë, në fushën e kësaj beteje pa kompromis. Tradita dhe kapacitetet e tyre janë është nje mundësi tjetër e madhe për të kufizuar përpjekjet e organizatave terroriste në rekrutimin dhe manipulimin e njerëzve në emër të fesë”, u shpreh zoti Rama.

Gjatë takimit në presidencë kanë bërë nje prezantim të situatës edhe ministri i Brendshëm, Drejtroi i Shërbimeve sekrete dhe kryeprokurori.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG