Lidhje

Një analizë e re mund të revolucionarizojë trajtimin e kancerit

  • Zëri Amerikës

Një analizë e re mund të revolucionarizojë trajtimin e kancerit

Një analizë e re mund të revolucionarizojë trajtimin e kancerit

Një nga zhvillimet më të rëndësishme në luftën kundër kancerit gjatë dekadës së fundit ka të bëjë me provat klinike që po zhvillohen tani në katër qendra mjekësore në Shtetet e Bashkuara. Qendrat po përdorin një analizë të re gjaku shumë të ndjeshme të zbuluar në Spitalin e Përgjithshëm në Boston të shtetit Masaçusets. Kjo analizë e re mund revolucionarizojë mënyrën e trajtimit të kancerit.

Kur tumorët rriten, ata lëshojnë qeliza kanceroze në gjak. Analiza e re thuhet se do të zbulojë edhe qelizat më të vogla kanceroze që qarkullojnë në gjak. Mjeku Denis Haber është një nga studiuesit:

“Për çdo qelizë tumori në gjak, ka rreth një miliardë qeliza të tjera që qarkullojnë. Kjo është sfida, që mes kësaj morie qelizash të zbulojmë qelizën kanceroze.

Në testin e ri, një mostër gjaku kalon përmes një mikroprocesori të lyer me një ngjitës të veçantë.

“Të gjitha qelizat kalojnë përmes procesorit, i cili njeh vetëm qelizat kanceroze dhe ato janë të vetmet që ngjiten aty.”

Qelizat e shëndosha kalojnë. Mjekët shpresojnë që duke numëruar dhe dalluar llojin e qelizave kanceroze në gjak, ata mund të kuptojnë nëse trajtimi tek një pacient po funksionon apo jo.

Mjeku Elmer Huerta është ish president i Shoqërisë Amerikane të Kancerit:

“Shenja e vetme që tregon në se tumori po zvogëlohet janë pamjet që merren përmes grafive CT apo MRI.”

Por ndonjëherë duhen muaj që një biopsi apo grafi të tregojnë nëse trajtimi po funksionon. Dhe ndërkohë humbet kohë kritike nëse kanceri vazhdon të rritet. Me testet e reja, doktorët do ta kuptojnë menjëherë nëse pacienti ka ende kancer.

“E reja është se me pacientët që trajtohen, mënyra se si duhet vepruar do të jetë më e saktë.”

“Pra me këtë teknologji, ne mund të zbulojmë më herët rishfaqjen e kancerit dhe mund të fillojmë kurat e reja.”

Greg Vertos merr pjesë në testet klinike në Boston. Ai ka një fazë të avancuar të kancerit.

“Kjo do të bënte të mundur ndërhyrjen e menjëhershme dhe për mua do të ndryshonte gjithçka.”

Tani, testet klinike bëhen vetëm për pacientët me kancer. Por teknologjia ngre një pyetje: a është e mundur të shpiket një test për pacientët e shëndetshëm? Specialistja e kancerit të gjiri, Mjekja Suzan Love, thotë tani për tani jo.

“Ne të gjithë kemi qeliza kanceroze në trup që nuk na shkaktojnë ndonjë problem. Ajo që duhet patur kujdes me këtë teknikë është mbi-trajtimi i qelizave të fjetura që nuk do të na jepnin kurrë probleme.”

Provat klinike pritet të vazhdojnë për rreth pesë vjet. Ndërkohë, doktor Huerta thotë se njerëzit duhet të tregohen të vëmendshëm.

“Ndërsa presim që kjo teknologji të zërë vend, ne duhet të mos harrojmë se kanceri është i heshtur dhe metoda më e mirë për ta kapur atë herët sot është që të vazhdojmë kontrollet rutinë për kancerin në mitër, në gji, në zorrë apo prostatë.”

Nëse provat klinike kanë sukses, studiuesit shpresojnë që analiza të përdoret për publikun.

XS
SM
MD
LG