Lidhje

Teknologjitë në zgjedhje, probleme në testin e Tiranës


Aparatura që duhet të identifikojë zgjedhësit nuk arrin të zbulojë në kohë reale nëse dikush hedh votën në dy qendra të ndryshme votimi.

Në Shqipëri testi i votimit elektronik i parashikuar për t’u zbatuar në Tiranë u shoqërua me probleme të cilat ngrejnë pikëpyetje për vënien e tij në zbatim. Nga sa rezultoi nga prova e sotme, aparaturat që do të vendosen nëpër qendrat e votimit nuk arrijnë të identifikojnë në kohë reale nëse një zgjedhës voton në dy qendra të ndryshme votimi, e po ashtu pikëpyetje u ngritën edhe mbi disa aspekte të tjera teknike. Disa javë më parë edhe prova e numërimit elektronik e parashikuar për t’u zbatuar në Fier dështoi



Procedura parashikon instalimin e një aparture në cdo qendër votimi e cila duhet të bëjë të mundur identifikimin e zgjedhësit përmes verifikimit të kartës së identitetit apo pasaportës. Por ndërsa aparatura mund të pengojë që një zgjedhës të votojë dy herë në një qendër votimi, ajo nuk identifikon, në mënyrë të menjëhershme, nëse ka votuar më parë në një qendër tjetër. Kjo gjë mund të verifikohet vetëm pas 48 orësh, dhe e vetmja shpresë që një zgjedhës të mos votojë në dy apo më shumë qendra votimi është frika nga ndëshkimi deri në 5 vjet burg që ligji parashikon në një rast të tillë.

Po ashtu probleme lindën dhe me faktin se aparatura refuzon një kartë të dëmtuar, ndërsa pikëpyetje u ngritën dhe mbi aspekte teknike që lidhen me faktin se cfarë ndodh kur ka shkëputje të furnizimit me energji apo sa i mbrojtur është sistemi nga ndërhyrje nga jashtë. Ekspertët e të dy palëve politike u shprehën skeptik mbi zbatimin e këtij sistemi në mbi 1400 qendrat e votimit të kryeqytetit. Pas një raporti te ekspertëve do të jetë Komisioni qëndror i zgjedhjeve që do të duhet të vendosë. KQZ ende nuk ka dale me vendim as për numërimin elektronik të parashikuar për qarkun e Fierit i cili praktikisht ka rezultuar i dështuar. Shpejtësia e procesimit të materialeve nuk ishte ajo e pritshmja, madje numërimi elektronik kërkonte edhe më shumë kohë se numërimi tradicional nga vetë komisionerët. Një tjetër problem për Fierin është se kompania spanjolle Indra që ka marë përsipër zbatimin e teknologjisë ka parashikuar që kapaciteti i sistemit të kufizohet vetëm në 42 emra partishë e kandidatësh të listës së votimit ndërkohë që janë 67 të tillë.

Për zbatimin e teknologjive të reja në zgjedhje përmes dy projekteve pilot, kompania spanjolle fitoi një tender prej afërsisht 4 milion eurosh. Ndërkohë që një ngërc i mëtejshëm për to lidhet edhe me gjendjen në të cilën gjendet edhe vetë komisioni i Zgjedhjeve, i cili po funksionon me katër anëtarë. Sic vinte në dukje raporti i Vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it, “një numër aktesh vecanërisht të nevojshme për zbatimin e këtyre projekteve kërkojnë një shumicë të cilësuar prej 5 votash në KQZ”. Madje sipas vëzhguesve, edhe në parim, “funksionimi i KQZ me katër anëtar pengon aftësinë e saj në administrimin e zgjedhjeve në përputhje me ligjin”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG