Lidhje

ISIS merr përgjegjësinë për sulmin në Teksas


Grupi militant Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për sulmin e së dielës ndaj një ndërtese në jashtë qytetit të Dallasit në Teksas, ku po mbahej një konkurs për karikaturat e profetit të fesë islame, Muhamedit.

Nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm nga zyrtarët amerikanë rreth këtij pretendimi.

Grupi ekstremist bëri njoftimin sot në stacionin e tij të radios, duke thënë se "dy nga ushtarët e kalifatit" kryen sulmin e së dielës në një konkurs mbi lirinë e shprehjes në qytetin e Garlandit. "Ne u tregojmë Amerikës se ajo që po vjen do të jetë edhe më e madhe dhe më e hidhur", thuhet në deklaratën e Shtetit Islamik, hera e parë që ky grup merr përgjegjësinë për një sulm në tokën amerikane.

Policia ka identifikuar autorët e sulmit si Elton Simpson dhe Nadir Soofi, të cilët po banonin bashkë në një apartament në Finiks të Arizonës. Ata hapën zjarr mbi një qendër ku po mbahej konkursi, duke plagosur një roje të sigurisë, para se të vriteshin nga oficerët e policisë së qytetit të Garlandit.
Dokumentet e gjykatës tregojnë se Elton Simpson ka qenë nën mbikëqyrje që nga viti 2006 dhe në vitin 2010 ishte dënuar për dëshmi të rreme para agjentëve të FBI-së rreth dëshirës së tij për t'u bashkuar me xhihadistët e dhunshëm në Somali.Edhe agjentët e FBI-së po vazhdojnë hetimet rreth këtij sulmi.

Autoritetet kanë bërë një kontroll të hollësishëm të zonës ku ka ndodhur sulmi.

Hetuesit tashmë kanë një ide të mirë mbi atë që ka ndodhur, thotë zëdhënësi i Policisë së Garlandit, Joe Harn.

"Dy burrat dolën nga një makinë me ngjyrë të zezë. Ata ishin të armatosur me pushkë automatike, u pozicionuan prapa makinës së tyre dhe filluan të qëllonin ndaj makinës së policisë. Polici që ndodhej në makinë u përgjigj me zjarr dhe qëlloi për vdekje të dy sulmuesit".

Para se të pastronte zonën, policia përdori një robot për të kontrolluar makinën e autorëve të sulmit për eksplozivë, por nuk gjeti të tillë.
Më vonë, policia arriti të identifikonte autorët e sulmit si Elton Simpson dhe Nadir Soofi, të cilët kanë banuar bashkë në një apartament në Finiks të Arizonës.

Agjentët e FBI-së në Finiks kishin njohuri për Elton Simpson-in, i cili në vitin 2011 ishte dënuar pasi kishte gënjyer hetuesit në lidhje me planet e tij për t'u bashkuar me një grup terrorist në Somali.

Para kryerjes së sulmit, ai besohet se kishte bërë një njoftim në Twitter ku tregonte qëllimin e tij.

Organizatorja e konkursit Pamela Geller, e cila ishte në shënjestër të sulmit, e krahasoi sulmin me vrasjen e 12 njerëzve në janar në zyrën e revistës franceze Charlie Hebdo në Paris.

"Ky është një sulm mbi lirinë e shprehjes i ngjashëm me masakrën e xhihadistëve ndaj revistës Charlie Hebdo".

Grupi militant Shteti Islamik sot përmes një njoftimi në radion e tyre, mori përgjegjësinë duke thënë se "dy nga ushtarët e kalifatit" kryen sulmin e së dielës ndaj një aktiviteti mbi lirinë e shprehjes në qytetin e Garlandit.


Ekspertët e terrorizmit thonë se është e qartë se sulmuesit ishin amatorë, duke patur parasysh faktin se ata u ndaluan shumë shpejt nga një polic i vetëm, veprimi i të cilit shpëtoi shumë jetë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG